E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, kreu i Financave, Bode: “Shqipëria, ende larg vorbullës”



Ervin Koçi

Ministri i Financave, Ridvan Bode, është munduar që të qetësojë dje opinionin publik në vend duke vënë në dukje se Shqipëria është ende larg vorbullës së krizës financiare globale. Gjatë një konference për shtyp, duke u ndalur në një ndër analizat e fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili e radhit Shqipërinë në grupin e vendeve të rrezikuara nga kriza, Bode ka sqaruar se faktori i vetëm që shihet me rrezik mesatar në këtë grup është niveli i remitancave (të ardhurat nga emigrantët). Ndërkohë, sipas tij, sistemi financiar dhe investimet janë në klasifikime të kënaqshme.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Financave pranoi ngadalësimin e aktivitetit tregtar për importet dhe eksportet, megjithatë ai konstatoi se vendi ynë është larg prekjes nga kriza globale. "Aktiviteti tregtar ka një farë tkurrjeje dhe kjo vjen në tregtinë ndërkombëtare, e cila impaktohet në dy aspekte, në uljen e nivelit të eksporteve të mineraleve dhe çmimeve të mallrave të importuara", - deklaroi ministri Bode. Sipas tij, gjatë 2-mujorit të parë të këtij viti kemi rënie të vëllimit të eksporteve, për shkak të rënies së eksporteve të mineraleve, ndërsa është vënë re edhe një rënie e volumit në vlerë të importeve për shkak të rënies së çmimeve.

Replikat me FMN-në

Kreu i Financave shqiptare, Bode, tha se analiza e bërë nga FMN-ja i përket një periudhe përpara muajit janar, kur ne ende klasifikoheshim në grupin e vendeve të varfra. "Por tani Shqipëria ka dalë nga ky grup dhe renditet në grupin e vendeve me të ardhura mesatare", - tha Bode. Kreu i Financave publike, duke iu referuar vizitës së shefit të Misionit të FMN-së në Tiranë, Geruin Bell, një javë më parë, tha se ai është njohësi më i mirë i Shqipërisë dhe e konfirmoi një gjë të tillë. Duke u ndalur në masat e marra nga qeveria, ministri Bode renditi situatën e mirë të sistemit bankar, kredinë e marrë nga qeveria, e cila i mundëson buxhetit të shtetit të jetë një faktor stabilizues. Ai theksoi se tregtia e brendshme paraqitet mjaft mirë dhe taksa e TVSH-së, e cila mat qarkullimin e mallrave brenda vendit, rezultoi gjatë 2-mujorit të këtij viti 15 për qind më e lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredia 250 milionë

Sipas ministrit të Financave, kredia prej 250 milionë eurosh, që do të merret nga dy banka të huaja, do të përdoret vetëm për investime. Ato do të jenë kryesisht në shëndetësi, infrastrukturë, arsim, por edhe në fushën e mbrojtjes. Sipas Bodes, për Rrugën Durrës-Kukës-Morinë po investohen në total për këtë vit nga buxheti i shtetit 250 milionë euro. Sipas kreut të Financave Publike, nga kredia e kërkuar në tregun financiar ndërkombëtar do të financohen për Rrugën Durrës-Kukës jo më shumë se 150 milionë euro. Rruga Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Ndërtimi i kësaj autostrade është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sepse lidh tregjet e Europës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet Portit të Adriatikut në Durrës.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›