Nënshkruhet kontrata e privatizimit të paketës shtetërore të AMC-së
Kompania e telefonisë "Cosmote" merr pronësinë e 12.6 për qind të aksioneve shtetërore të AMC-së, pas blerjes me vlerën prej 48.2 milionë euro, në një garë të hapur ndërkombëtare, ku morën pjesë katër kompani të huaja. Në një ceremoni të zhvilluar dje në METE, zëvendësministri Eno Bozdo dhe drejtori i Përgjithshëm i kompanisë "Cosmote", Mihail Tsamaz, nënshkruan kontratën e shitjes së paketës se aksioneve shtetërore prej 12.6 për qind, në kompaninë AMC. Në fillim, në bazë të ligjit u krye shitja me tender të hapur ndërkombëtar e paketës prej 85 për qind të aksioneve kompanisë “Cosmote-Telenor”, me një vlerë prej 85,6 milionë dollarë amerikanë dhe më pas u transferua paketa prej 2,4 për qind për llogari të punonjësve të shoqërisë. Procesi i privatizimit për pjesën e mbetur të aksioneve filloi në korrik të vitit 2008, pasi u miratuan aktet nënligjore përkatëse, në përputhje me të cilat u realizuan procedurat e transferimit të kësaj pakete. I gjithë procesi u realizua nga stafi i METE-s dhe u mbështet nga kompania konsulente “UNICREDIT” nga Zagrebi i Kroacisë.
INSTAT: Maqedonia, e para në rajon për shkëmbimet tregtare me Shqipërinë
Maqedonia mban vendin e parë në tregtinë e jashtme të vendit tonë me vendet e rajonit gjatë muajit janar të vitit 2009. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë muajit të parë të këtij viti, treguesi i importit me Maqedoninë ishte 455 milionë lekë, e ndjekur nga Kroacia me 183 milionë lekë. Sipas të njëjtave burime, edhe në treguesin e eksportit Maqedonia mban vendin e parë me 90 milionë lekë, e ndjekur nga Kroacia. Edhe gjatë vitit të kaluar, Maqedonia mbante vendin e parë në tregtinë e jashtme të vendit tonë me vendet e rajonit. Sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2008, në treguesin e importit Maqedonia realizoi shifrën e 9,676 miliardë lekë, e ndjekur nga Kroacia me 4,368 miliardë lekë, ndërsa për eksportin Maqedonia kapi shifrën e 3,223 miliardë lekëve, ndërsa Kroacia shifrën e 188 milionë lekëve, tregues këta më të lartë se një vit më parë.
6 Mars 2009