Merkatoja e anëtarëve. Këshilltarë të LSI-së i bashkohen PS-së, ish-drejtues të PS-së bashkohen me LSI-në
Përplasjet midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim shoqërohen me “transferime” anëtarësh nga njëra parti te tjetra. Tre këshilltarë të LSI-së në Bashkinë e Vlorës, përkatësisht Albana Hodaj, Artan Licaj dhe Morand Hoxha, janë larguar dje nga LSI-ja me pretendimin se nuk morën asnjë vlerësim nga kreu i kësaj partie, Ilir Meta. Ata deklaruan se do t’i bashkohen Partisë Socialiste. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, se po përpiqet të blejë financiarisht njerëz me karakter të dobët, të cilët nuk përfaqësojnë LSI-në. “Jemi këtu për të dënuar edhe një herë perversitetin dhe amoralitetin politik të Edi Ramës që prej ditësh po blen lart e poshtë në mënyrë qesharake individë të dobët që nuk përfaqësojnë asgjë dhe që nuk kanë asnjë kontribut as në të majtë dhe as në LSI”, - tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se është Partia Socialiste që aktualisht është duke pësuar rrjedhje si rezultat i politikës së ndjekur nga lidershipi i saj. Vasili tha se me qindra anëtarë dhe ish-drejtues të PS-së i janë bashkuar dhe po i bashkohen LSI-së gjatë kësaj periudhe. “Por ne kemi vendosur të bëjmë publik edhe këtë proces të jashtëzakonshëm, që po ndodh në të gjithë vendin, ku qindra e mijëra të majtë dhe qytetarë të ndershëm që aderojnë në parti të ndryshme i bashkohen masivisht LSI-së si një parti idealiste, solidare, me moral të shëndoshë, si e vetmja opozitë e vërtetë, që do të nxjerrë në pension politik Berishën”, - tha Vasili. Ai prezantoi bashkimin zyrtar me LSI-në të disa ish-drejtuesve të Partisë Socialiste, emrat e të cilëve janë: Pjetër Dema, ish-deputet i PS, ish-zëvendësministër i Energjetikës; Hasan Hoxha, ish-deputet, drejtues i PS-së në Tiranë dhe anëtar i KPD-së të PS-së për shumë vite; Qemal Kuçi, ish-sekretar i PS-së në Tiranë; Rasim Allushi, këshilltar i PS-së në Njësinë Bashkiake Nr. 9; Lufti Lami, ish-sekretar i PS-së për Rrethin e Tiranës dhe këshilltar në Bashkinë Kamzë; Saimir Ivziku, ish-sekretar i PS-së, Rrethi Tiranë. Gjithashtu me LSI-në janë bashkuar zyrtarisht Xhevahir Ahmetliu, ish-këshilltar i AD-së si dhe Kujtim Bebja, këshilltar i PSD-së.
6 Mars 2009