E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Zgjedhjet rrezikohen nga policia elektorale, të tjera emërime militantësh në krye të policisë

Lutaj: “Po prishet imazhi i Policisë së Shtetit dhe po cenohet integriteti i zgjedhjeve”. Deputeti socialist denoncon emërimet e militantëve të PD-së në strukturat drejtuese të policisë

Shaban Sulçe

Partia Socialiste i rikthehet sërish shqetësimit që ka të bëjë me emërimet politike në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Sërish ka qenë deputeti socialist Pirro Lutaj, i cili, gjatë një konference për shtyp, ka denoncuar disa emërime të reja në Policinë e Shtetit, të cilat, sipas tij, u janë bërë anëtarëve dhe militantëve të njohur të Partisë Demokratike. Shqetësimi i selisë rozë ka lidhje me rrezikun që u kanoset zgjedhjeve të 28 qershorit si rezultat i krijimit të policisë elektorale, por edhe me uljen e rendimentit të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit dhe trafiqeve. “Vënia në poste drejtuese e delikate të Policisë së Shtetit të militantëve apo personave pa kualifikimin e nevojshëm për përmbushjen e detyrave funksionale me synimin e përdorimit të tyre gjatë fushatës elektorale apo si amortizatorë partiakë, jo vetëm që prish imazhin e Policisë së Shtetit dhe rrezikon integritetin e zgjedhjeve të ardhshme, por dhe reflekton në mënyrë të dëmshme në mungesën e rezultateve të pritshme”, - tha deputeti socialist Pirro Lutaj.

Emërimet
Në emër të PS-së, Lutaj denoncoi drejtuesit e Ministrisë së Brendshme si përgjegjës për emërimet politike në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Ai denoncoi këto emërime konkrete duke përmendur edhe emrat e emëruar në krye të uniformave blu. Lutaj ka përmendur emërimin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kufirit në Qarkun e Kukësit, Ylber Zyberi, i cili, sipas tij, nuk ka arsimin e kualifikuar policor, ka kandiduar për kryetar të PD-së në Qytetin e Kukësit në vitin 2004 dhe aktualisht mban gradën Drejtues në kundërshtim me të gjitha kriteret ligjore. Emërimet e denoncuara nga Lutaj: “Ritmir Bilali, specialist i SHKB-së në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës, pa arsim policor, i ardhur nga repartet ushtarake të xhenios dhe që mban gradën policore Komisar gjithashtu në kundërshtim me kriteret ligjore; Sokol Cena, kontrollor në pikën e kalimit të kufirit në Morinë të Kukësit, pa arsim policor, i marrë në këto struktura në vitin 2005 në kundërshtim me të gjitha kriteret ligjore; Aledin Omuri, shefi i Komisariatit të Policisë në Dibër, mban gradën e Kryekomisarit, jashtë kritereve të ligjit “Për Policinë e Shtetit; Shpend Jaku, punonjës policie në Drejtorinë e Qarkut Kukës, i përjashtuar në vitin 2004 nga Policia e Shtetit me motivacionin shpërdorim detyre dhe vjedhje, aktualisht mban gradën Kryekomisar.

Kriminaliteti
Deputeti socialist Pirro Lutaj tha se emërimet politike në Policinë e Shtetit kanë bërë që kësaj të fundit t’i mungojë profesionalizmi dhe si pasojë ka ndodhur rritja e kriminalitetit në Shqipëri. Lutaj tha se treguesit e krimit për vitin 2009 janë në shifra alarmante. “Mungesa e profesionalizmit në radhët e policisë ka bërë që treguesit e krimit për 2 muajt e parë të vitit 2009, të krahasuara me ato të së njëjtës periudhë të viteve 2007 dhe 2008, janë alarmante. Ministria e Brendshme, nëpërmjet zëdhënësit të saj dje dhe ministrit të Brendshëm sot, gënjeu opinionin publik duke thënë, përveç të tjerave, se gjatë vitit 2008 në Shqipëri janë evidentuar 85 raste të vrasjeve. Jo zonja dhe zotërinj të Ministrisë së Brendshme, në statistikat e vrasjeve për vitin 2008, duhet të pasqyroni edhe 26 jetët e shuara në tragjedinë shtetërore të Gërdecit, pasi janë disa persona nën hetim nga Prokuroria për vrasjen e tyre. Kështu numri i vrasjeve për vitin 2008 numëron të paktën 111 raste, sipas statistikave të deklaruara. Mungesa e profesionalizmit dhe abuzimi me rekrutimet në polici ka dhënë efektet e veta të rënda edhe në sektorin e Qarkullimit Rrugor. Kështu aksidentet automobilistike tregojnë se pasojat më të rënda përgjatë 17 vjetëve rezultojnë të jenë ato të katër viteve të fundit”, - tha Lutaj.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›