E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Kodi antikushtetues, të rishikohen edhe pikat e tjera



Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur mosdekretimin e Kodit Zgjedhor nga ana e presidentit Bamir Topi. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se mosdekretimi i Kodit ëshë bërë për arsye serioze, në radhë të parë për përplasje që ekzistojnë midis neneve të veçanta të këtij Kodi dhe Kushtetutës së Shqipërisë.
Xhufi tha se ky Kod është antikushtetues dhe se ai duhet të rishihet edhe në kapituj të tjerë, siç është ai i procesit të administrimit të zgjedhjeve. “Kthimi i Kodit të ri Elektoral për rishqyrtimin në Kuvend konfirmon shqetësimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm të LSD-së lidhur me procedurën, me të cilat është ecur për hartimin dhe për kalimin e këtij Kodi, procedura që janë shkelur në vazhdimësi. Ne gjykojmë, si Lëvizje Socialiste për Integrim, se ky moment i mosdekretimit të Kodit Zgjedhor duhet të përbëjë një rast të mirë për të reflektuar jo vetëm për elementë, të cilët janë bërë bazë për kthimin e Kodit, por edhe për çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me vetë përmbajtjen e Kodit, sidomos lidhur me ato dispozita që kanë të bëjnë me administrimin e procesit zgjedhor, i cili ka qenë edhe shqetësimi kryesor i Lëvizjes Socialiste për Integrim në fazën e fundit të miratimit të këtij Kodi”, - tha Xhufi.

Ndoka: “Kodi u votua verbërisht, të gatshëm të bashkëpunojmë për një kod kushtetues”

Partia Demokristiane ka përshëndetur vendimin e Presidentit të Republikës për të kthyer mbrapsht në Kuvend Kodin e ri Zgjedhor. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, tha se ky Kod u votua verbërisht me urdhër politik nga deputetët në sallë. Ndoka kërkoi nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike që t’i rikthejnë dinjitetin Parlamentit dhe Kodit, ndërsa shprehu gatishmërinë e PDK-së për të bashkëpunuar në arritjen e konsensusit për hartimin e një Kodi Zgjedhor tërësisht kushtetues. “PDK vlerëson se dekreti presidencial vërtetoi saktësinë dhe drejtësinë e kritikave që PDK-ja dhe disa parti të tjera politike i kanë bërë Kodit të ri Zgjedhor, veçanërisht amendamenteve që u sigurojnë partive të mëdha monopolin mbi procesin zgjedhor. Greva jonë e urisë për të parandaluar miratimin e një Kodi Zgjedhor të njëanshëm, antikushtetues dhe problematik, ishte forma më e lartë e sakrificës njerëzore dhe politike, por që fatkeqësisht mesazhet e saj nuk u kuptuan dhe nuk u pranuan nga dy partitë e vjetra politike. Ne jemi të gatshëm të sjellim në vëmendjen e parlamentit të gjitha amendamentet tona, të cilat nuk u morën parasysh në debatin e parë parlamentar, si dhe të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm për të gjetur një konsensus sa më të gjerë parlamentar për rishkrimin e pikave të rëndësishme të Kodit Zgjedhor”, - tha Ndoka.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›