E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Mirëkuptojmë veprimin e Presidentit



Partia Socialiste ka reaguar pas letrës së Presidentit Topi, drejtuar Kuvendit, në të cilën ai shpreh arsyet e mosdekretimit të ligjit për Kodin e ri Zgjedhor. Në një deklaratë për shtyp, selia rozë ka çmuar vlerësimet e bëra nga Presidenti për punën e bërë për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, sidomos për kapitullin e procesit të administrimit të zgjedhjeve. PS ka shprehur mirëkuptimin për kërkesën e Presidentit dhe ka shprehur gatishmërinë për të votuar sërish këtë Kod dhe korrigjimet e kërkuara në të. “Partia Socialiste çmon vlerësimet e bëra nga Presidenti në letrën sqaruese të dekretit për punën e bërë për Kodin e ri Zgjedhor dhe për standardet e mishëruara në të përsa i përket administrimit të zgjedhjeve në vend. PS e mirëkupton kërkesën e Presidentit për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me afatin ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve, pavarësisht faktit se në këndvështrimin tonë ky afat është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor dhe Presidenti nuk ka aktualisht asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës. Gjithsesi, PS shprehet e gatshme që pa humbur kohë të votojë në Kuvend për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me Nenet 8 dhe 9”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Socialiste.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›