E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama dhe vota mbi një gotë raki…

Luan Rama 

Nuk është se nuk më ka tërhequr vëmendjen apo se nuk më ka bërë përshtypje zhurma e madhe për buxhetin e bashkisë së kryeqytetit dhe përdorja e saj për të fshehur atë që në fakt është bërë pa zhurmë me buxhetin në dëm të qytetarëve dhe qytetit, por teksa shihja kryetarin e radhës të Partisë Socialiste në pozitë mjerane të shfaqej përballë këshilltarëve, dhe edhe përballë qytetarëve me të vetmen “armë” që mund të përdorte-nervozizmin, nuk mund të mos ndjeja keqardhje për partinë në të cilën kalova plot 17 vjet. Sepse Partia Socialiste nuk e meriton një kryetar që nuk është socialist dhe që nuk di as të sillet si socialist, qoftë edhe me kundërshtarët e djathë, e jo më me qytetarët.
Nervoz dhe arrogant, në një moment të vetëm ai u shfaq edhe me më pa dinjitet se sa një i pirë që nga gjithë sa tha pas votimrrëmujës, mbahet mend që ishte nga ata që votën e kishte si gotën e rakisë.
Pa dashur të merrem me interpretimin procedural se sa i rregullt  ishte votimi për buxhetin e Edit, po e vlerësoj formalisht të rregullt për të shtruar pyetjen: a e meritojnë qytetarët e Tiranës së vitit 2009 votën e “blerë” me një gotë raki mbi të cilën të mund të ngrihet e të qëndrojë qyteti ynë i Shekullit të Ri?!...
Shqipëria është këtu ku është e përpëlitet në kënetën e tranzicionit pikësëpari ngaqë kryetari apo kryeministri, deputeti apo këshilltari vjen e bëhet kryetar, kryeministër a deputet prej votës së blerë apo më keq se kaq, të vjedhur prej banditësh e kusarësh gjithfarë. Ndaj në vigjilje të zgjedhjeve të qershorit, votimi për buxhetin e Bashkisë së Tiranës është parathënia më e shëmtuar që për fat të keq vjen për qytetarët nga kryetari josocialit i Partisë Socialiste.
Kur duhej që në antitezë me mënyrën abuzive të votimit e në kundërshti me praktikën ligjore që aplikon shpeshherë Kuvendi i Shqipërisë, kryetari i Partisë Socialiste që është partia më e madhe në këshillin bashkiak të Tiranës të na ofronte standardin europian të një procesi votimi dhe sjelljen qytetare ndaj votës, në fakt provoi se gjithë sa thotë lartë e poshtë është vetëm retorikë, është fasadë që fsheh në brendësi të njëjtin njeri, që vetë voton dhe vetë numëron. Çfarë ndodhi në procesin e votimit në këshillin bashkiak, është as më shumë dhe as më pak ajo që ka ndodhur edhe në kongresin e fundit të Partisë Socialiste; zgjedhje përfaqësuesish në forume pa asnjë kontribut për Partinë Socialiste jo prej votës, po prej gotës, paçka se jo me raki.
Duke iu rikthyer procesit të debatueshëm të votimit për buxhetin në këshillin bashkiak të kryeqytetit dhe duke e qëmtuar atë me qetësi, kuptohet lehtë se Edi Rama i kishte siguruar votat e nevojshme për ta miratuar atë buxhet. Por ndërhyrja e tij arbitrare dhe e paprecedent në proces duke bërë vetë numërimin dhe duke shpallur po vetë edhe rezultatin, e komprometojnë dhe e kontaminojnë rezultatin. Edhe kaq do të mjaftonte që një njeri sadopak i përgjegjshëm të reflektonte e të kërkonte përsëritje të procesit nga e para, qoftë edhe për të retushuar sadopak imazhin e vet.
Mirëpo që të reflektosh, që të dish të kërkosh ndjesë e të ndërtosh dialog me të tjerët, që të dish të jesh qytetar në komunikim, duhet më së paku të jesh njeri që udhëhiqesh prej arsyes e jo prej instinktit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›