E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike uli portofolin e kredisë në 2008



BSH: Treguesit monetarë, ngadalësim të ritmeve të rritjes

Qarkullimi i parasë ra me 8 për qind në muajin dhjetor

Niveli i parasë pësoi një ngadalësim gjatë vitit 2008 në qarkullimin e saj në tregun bankar shqiptar. Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vlerëson se treguesit monetarë paraqesin ngadalësim të ritmeve të rritjes në muajin dhjetor, duke transmetuar sinjale për një ngadalësim të mundshëm të kërkesës për mjete monetare. Raporti i BSH-së vlerëson se ritmi vjetor i rritjes së parasë së gjerë shënoi rënie në nivelin 8%. Zgjerimi i M3 është mbështetur kryesisht nga kredia për ekonominë, si dhe nga rritja e financimit të sektorit publik, në përgjigje të kërkesës më të lartë për fonde nga sektori fiskal. Portofoli i kredisë shënoi një ngadalësim të ritmeve vjetore në 35%, e ndikuar nga zgjerimi i ulët mujor që shënoi kredia në muajin dhjetor 2008. Ndërkohë për sa i përket ekonomisë botërore, BSH vlerëson se të dhënat e muajit janar për ekonominë botërore tregojnë tkurrje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik, të shkaktuar nga përçimi i krizës financiare në ekonominë reale. Rënia ekonomike është ndikuar ndjeshëm nga kërkesa e ulët në tregjet botërore. Presionet inflacioniste botërore janë zbutur, si pasojë e rënies së çmimeve të mallrave kryesore, por edhe të rënies së kërkesës botërore. Prirja rritëse e papunësisë, si edhe rënia e indekseve të besimit kanë shtuar rreziqet e një rënieje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik botëror. Ndërkohë në vendin tonë pavarësisht frikës së efekteve krizë, çmimet kanë ruajtur stabilitet. BSH vlerëson se inflacioni në muajin janar 2009 rezultoi 2.1 për qind, pothuajse në të njëjtin nivel me atë të fundvitit 2008. Tendenca në rënie e inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, reflektuar dhe në tregun vendas, si dhe nga kushte e qëndrueshme makroekonomike në vend. Nga ana tjetër, vrojtimet e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, për tremujorin e fundit të vitit 2008 kanë regjistruar një rënie prej 10 pikë përqindjeje të treguesit të tendencës ekonomike, që megjithatë është mbi nivelin mesatar të 5 viteve të fundit. Vlera e këtij treguesi pasqyron vlerësimin në rënie të bizneseve për nivelin e prodhimit, punësimit, kërkesës dhe situatës së tyre financiare. Zhvillimet në sektorin e jashtëm tregojnë se në muajt e fundit të vitit 2008, shkëmbimet tregtare u rritën me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet kanë ruajtur ritme të larta rritjeje, prej 16%, ndërkohë që eksportet kanë shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes, duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar. Në tregun e brendshëm valutor vihet re se gjatë muajit janar, në terma nominalë efektivë, ecuria e lekut kundrejt shportës së monedhave kryesore ka vazhduar tendencën në kahun rënës. Ndryshimi vjetor i indeksit NEER (kursi nominal efektiv i këmbimit) ka rezultuar në rënie me 4.2 për qind. Përveç faktorit sezonal, gjykohet se në ecurinë aktuale të kursit të këmbimit ka dhënë ndikim edhe rritja e numrit dhe sasisë së kërkuar nga disa operatorë të veçantë, duke çuar në një përqendrim joracional të kërkesës në këtë periudhë të vitit. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen e të gjithë aktorëve në tregun valutor, duke përfshirë edhe publikun e gjerë, për të qenë më racional në lidhje me vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë gjykon se ka ardhur koha që të rritet përdorimi i instrumenteve më komplekse financiare, siç mund të jenë kontratat e së ardhmes. Mbështetur në analizën e mësipërme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: “Të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi njëjavor”. Sipas BSH-së, ky vendim do t’i shërbejë qëndrueshmërisë së situatës makroekonomike në vend, nëpërmjet një përputhjeje më të mirë të faktorëve të kërkesës me ato të ofertës, si dhe për kontrollin e presioneve inflacioniste brenda objektivit të politikës monetare. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se ky vendim do të ndihmojë në konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend, kryesisht nëpërmjet ruajtjes në nivele pozitive nxitëse të diferencës së normave të interesit mes lekut dhe valutës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›