E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kura trajtuese për krizat e zemrës



Një zemër e shëndoshë peshon sa 0.5% e peshës trupore

Ndryshimet që ndodhin në jetën tuaj pas krizës së zemrës:

• Duhet të pini rregullisht medikamentet që ju ka dhënë mjeku

• Duhet të lini cigaren, nëse e pini

• Duhet të bëni rregullisht sport

• Duhet të kontrolloni rregullisht tensionin

• Duhet të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme, duke përdorur sa më pak yndyrë

Shenjat paralajmëruese:

• Dhimbje në mes të gjoksit, shtypje dhe shtrëngim gjoksi që zgjat disa minuta e shoqëruar me gjendje ankthi

• Dhimbje gjoksi që përhapet në shpatulla, qafë, krahë dhe që shtohet gjatë sforcimeve fizike

• Marrje mendsh e shoqëruar me përzierje, gjendje të fikëti dhe dobësie trupore, djersë të ftohta.

Jeta pa zemër nuk është e mundshme. Zemra është njëra prej organeve të para që formohet në trupin e njeriut gjatë zhvillimit embrional. Forma e saj është e ngjashme me formën e një koni, maja e të cilit tregon nga ana e majtë dhe poshtë. Zemra te njerëzit ndodhet në anën e majtë të kraharorit, në raste të rralla edhe nga ana e djathtë. Një zemër e shëndoshë peshon sa 0.5% e peshës së trupit, 300-350 gramë. 500 gramë është pesha kritike. Prej kësaj peshe enët e gjakut të zemrës nuk janë në gjendje ta furnizojnë më atë me oksigjen.

Funksioni

Zemra është pompa. Në mënyrë që pompa (zemra) të kryejë funksionin e saj, duhet që muskuli i zemrës të jetë shëndoshë e mirë. Duhet që sistemi elektrik i zemrës të koordinojë tkurrjen e valvulave dhe të barkusheve, si dhe duhet që muskuli të furnizohet rregullisht me gjak. Gjatë tkurrjes (sistolës) të barkushes së majtë, presioni brenda barkushes natyrisht është më i lartë sesa presioni në aortë. Kjo e pengon qarkullimin e gjakut në shtratin koronar. Gjithashtu, fillesa e arterieve koronare gjatë sistolës mbyllet nga kuspet e valvulës të hapur të aortës. Si rrjedhojë, enët koronare nuk mund ta furnizojnë me gjak barkushen e majtë gjatë sistolës. Barkushja e majtë furnizohet me gjak vetëm gjatë diastolës. Nëse diastola shkurtohet, barkushja e majtë ka më pak kohë për t'u furnizuar me gjak. Valvulat e zemrës duhet të jenë të afta të hapen plotësisht dhe të mbyllen plotësisht. Stenoza është ngushtim i vrimës të valvulës. Mbyllja jo e plotë përbën pamjaftueshmëri të valvulës. Pasojë e pamjaftueshmërisë është regurgitimi (rikthimi i gjakut). Venat rikthejnë gjakun në zemër. Që të kryejnë këtë funksion, venat janë të pajisura me valvula që nuk lejojnë kthimin e gjakut mbrapsht. Tkurrja e muskujve të gjymtyrëve i shtrydh venat dhe e shtyn gjakun drejt qendrës (pompa muskulore). Po ashtu, presioni negativ gjatë frymëmarrjes ndihmon kthimin e gjakut për në zemër.

Kriza e zemrës

Arsyeja e krizës së zemrës është bllokimi i pjesshëm i enëve të gjakut të saj prej grumbullimit në formë pllake të yndyrave dhe kalciumit. Nëse ky bllokim bëhet i plotë (100%), atëherë qarkullimi i gjakut ndërpritet plotësisht dhe kjo gjendje përfundon me infarkt, i cili mund të çojë deri në vdekje.

Shkaqet

Zemra, ky organ kryesisht muskulor, pompon gjak në të gjithë trupin me një shpeshtësi që në kushte qetësie është rreth 60-80 herë/minutë. Gjatë kohës që furnizon të gjitha organet me oksigjenin e domosdoshëm, ajo ndjen nevojën për t’u ushqyer edhe vetë me gjak. Enët e gjakut që ushqejnë vetë zemrën quhen arterie koronare (ose “damarët” në gjuhën popullore). Bllokimi i këtyre enëve quhet sëmundje e arterieve koronare (SAK).

Në varësi të gradës, tipit dhe vendit të ngushtimit shfaqen edhe simptomat, nga të lehta deri në më të rëndat. Ato mund të provokohen nga një sforcim fizik ose psikik i caktuar, dhe në rastet më të rënda shfaqen edhe në kushte qetësie.

Simptomat

Njerëzit e mirinformuar mund të mbrohen, madje edhe ta parandalojnë krizën e zemrës. Kurse njerëzit e painformuar janë të pambrojtur dhe kanë rrezik më të lartë të humbjes së jetës në rastet e krizës së zemrës.

Shërimi

Qëndrimi në spital pas një krize zemre varet nga lloji i saj, si dhe koha kur është zbuluar.

Një mjekim efikas çon në shërimin e zemrës dhe parandalon krizat e mëvonshme. Mjekimi i zemrës fillon që nga një dietë e përshtatshme, lënia e duhanit, nga aktiviteti fizik i kontrolluar, rënia në peshë.

Dhimbjet

Në përgjithësi, personat që kalojnë krizë zemre, përfshihen nga gjendje ankthi. Kjo është një gjë jonormale, sepse kjo ngjarje rrezikon jetën. Këshillohet, që këtë gjendje mos ta fshihni dhe ta diskutoni me një person tjetër. Me kalimin e kohës, kjo gjendje ankthi do të zhduket. Nuk duhet harruar, që pas krizës, zemra çdo ditë e më tepër e rimerr veten.

Kthehuni në aktivitetin tuaj të përditshëm dhe duhet të mendoni që nuk jeni ju i vetmi njeri që ka kaluar krizë zemre. Shumica e njerëzve në botë që kalojnë një krizë zemre, në një kohë shumë të shkurtër, i kthehen jetës normale.

Familjarët

Kriza e zemrës që keni kaluar, patjetër që ka krijuar shqetësim tek familjarët. Ndërkohë që ju jeni brenda në sallë, duke bërë koronaro-grafinë, të afërmit tuaj presin të shqetësuar përfundimin. Megjithëse të mërzitur, asnjeri prej tyre nuk ju mban ju përgjegjës, për gjendjen e krijuar. Madje, në shumicën e rasteve, janë të afërmit tuaj që e ndiejnë veten fajtorë për gjendjen e krijuar, sidomos me të rinjtë. E mira është, që të bisedohet me ta dhe t’u shpjegohet, që megjithëse kriza e zemrës ndodhi e menjëhershme, është një periudhë e gjatë kohore në të cilën janë përgatitur kushtet për këtë krize. Pas krizës së zemrës nuk duhet përdorur cigare, duhet bërë rregullisht sport, duhet të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme dhe të ekuilibruar!

Puna

Shumica e atyre që kalojnë krizë zemre, brenda një muaji kthehen në jetën normale, ato mund të punojnë. Kjo kohë varet dhe nga dëmtimi që ka pësuar zemra. Disa persona dëshirojnë që të bëjnë punë të lehta. Për ta përcaktuar më mirë llojin e punës që mund të kryejnë, mund të jetë e nevojshme kryerja e një testi vlerësues (kryesisht prova e efortit).

Jeta seksuale

Shumica e personave që kanë kaluar krizë zemre mund të kryejnë marrëdhënie seksuale si më parë. Por, nëse gjatë kryerjes së marrëdhënieve, ndjeni dhimbje kraharori, duhet t’i drejtoheni mjekut. Kjo nuk duhet t’ju bëjë të mendoni negativisht. Duhet të pyesni mjekun për çdo lloj paqartësie që do të keni.

Ushtrime

Personat që kanë kaluar krizë zemre mund të bëjnë ecje, të luajnë golf, të shkojnë për peshk, të bëjnë not pa pasur ndonjë shqetësim. Për shumicën e pacientëve, këshillohet bërja e ushtrimeve. Nuk duhen bërë ushtrime të rënda, pa u këshilluar me mjekun. Ai do ju drejtojë për sasinë e duhur të ushtrimeve që duhet të bëni.

Dieta pa yndyrë

Dieta pa yndyrë është një mënyrë të ushqyeri që bëhet duke eliminuar yndyrat shtazore, mishin e kuq, prodhimet e yndyrshme të qumështit, të verdhën e vezës, vajrat gjatë gatimit, me qëllim pakësimin e kalorive. Arsyeja e dietës është ulja e kolesterolit në gjak, duke ulur në maksimum rrezikun e kalimit të një krize tjetër zemre. Për gatim, në vend të gjalpit dhe margarinës së ngurtësuar këshillohet të përdoret më pak se 2 gramë vaj ulliri.

Përsëritja e krizave

Sigurisht, nuk mund të dihet ekzaktësisht nëse do të kaloni një tjetër krize zemre apo jo. Shansi për të mënjanuar një krizë zemre varet nga korrektësia e marrjes së mjekimit të rekomanduar nga mjeku, si dhe nga kujdesi që do të bëni ju vetë për mbrojtjen e shëndetit (reduktim i peshës, aktivitet fizik i përditshëm, por i kontrolluar, dietë e përshtatshme). Nga studimet e kryera për sëmundjen koronare çdo vit dalin të dhëna të reja dhe shumë premtuese. Situata e ditëve të sotme ka përmirësime të dukshme në krahasim me vite më parë, dhe me kalimin e kohës do të jetë akoma më mirë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›