E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit do të bojkotojnë bankat që nuk ulin kreditë

28/02/2009  BSH: Kredia totale për ekonominë parashikohet në 54 miliardë lekë

Bojkot bankave që mbajnë norma të larta për kreditimin. Shoqata e Ndërtuesve është duke e menduar seriozisht marrjen e kësaj mase, duke dashur të ndikojë në sjelljen e politikave që bankat e nivelit të dytë po ndjekin për kredidhënien e biznesit. Pas disa kërkesave të herëpashershme publike që komunitetet e ndryshme të biznesit u kanë bërë bankave për uljen e normave të kreditimit, apo edhe apelit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë që këto banka të rrisin nivelin e kreditimit të sektorëve të ekonomisë, kjo duket të jetë forma më ekstreme. Bankat nuk po reflektojnë uljen e normës bazë të interesit nga Autoriteti qendror Mbikëqyrës. Që prej një muaji norma bazë e interesit është ulur në 5,72 për qind, por, sipas përfaqësuesve të biznesit, kjo situatë po përdoret vetëm për të rritur fitimet e bankave të nivelit të dytë.

Kërcënimi

Sjellja e bankave nuk do të ndikojë në furnizimin e sistemit me likuiditet, dhe rrjedhimisht do të sjellë një ngërç në ekonominë vendase, që po vuan pasojat e krizës ekonomike globale. Sipas përfaqësuesve të biznesit, bankat në Shqipëri po ecin në kah të kundërt me bankave të tjera në Evropë. “Ne menduam që bankat e nivelit të dytë do të ndiqnin shembullin e bankave të tjera që teorikisht dhe praktikisht filluan të ulnin përqindjet e interesit të depozitave dhe të ulin përqindjet e interesit për kreditë që t’i japin gjallëri ekonomisë. Teorikisht këtu po rriten interesat e kredive dhe të depozitave duke i shtyrë njerëzit që të mos investojnë, por t’i lënë nëpër banka, që është e kundërta e asaj që duhet bërë”, - tha dje Avenir Kika, përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve. Me këtë masë komuniteti i biznesit synon t’i japë përparësi bankave që do të ulin normat e interesit. “Ne si Shoqatë e Ndërtuesve do të mblidhemi për të përcaktuar disa masa. Ato banka që do të kenë norma interesi më të ulëta për kreditë, kryesisht për ata që duan të blejnë apartamente dhe sidomos për ata që blejnë për herë të parë, ne do t’i stimulojmë. Do të operojmë duke i detyruar edhe bankat e tjera që të ndjekin shembullin e kësaj banke sepse ky është ilaçi më i mirë, për të përballuar një krizë në të ardhmen”, - tha Avenir Kika.

Situata

Shtrëngimi i kushteve të kredisë, sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, parashikohet të sjellë një rënie të flukseve monetare, ku në mungesë të likuiditetit në lekë dhe valutë, pritet një ngadalësim në nivelin e kreditimit të sektorit privat. “Përgjithësisht, kredidhënia në monedhën evropiane përkon me zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare. Sezonalisht, interesat janë ndikuar nga politika agresive të disa bankave të veçanta që zotërojnë pjesë të ndjeshme të tregut”, - theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në analizën e fundit. Pjesa e dytë e vitit 2008 ka shënuar në përgjithësi një prirje të lehtë rritëse për normat e kredisë si në lekë dhe në euro, ndikuar kryesisht nga interesat afatshkurtër. “Kredia totale për ekonominë parashikohet në 54 miliardë lekë. Kjo rritje parashikohet të jetë relativisht e njëtrajtshme sipas komponentëve valutorë”, - thanë ekspertët. Norma e ndërmjetësimit në monedhën evropiane, me gjithë prirjen rënëse afatmesme, në muajt tetor-nëntor ka reflektuar tendencë shtrënguese, pasojë e zhvillimeve të fundit të sistemit bankar në kreditimin në valutë.

Kredia, faktor kyç

Kredidhënia është faktor kyç për ekonominë. Apeli i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ka qenë i vazhdueshëm në këtë drejtim. “I drejtoj një apel sistemit bankar, si atij vendas, ashtu dhe bankave mëma, që të analizojnë me kujdes ekonominë shqiptare për t’i dhënë asaj shanset reale nëpërmjet mbështetjes me kredi bankare. Kredia bankare ka qenë faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit e për rrjedhim, mendoj se ajo duhet të jetë e tillë edhe në të ardhmen”, - shprehet Guvernatori Ardian Fullani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›