Ta rijetosh ndryshe të shkuarën
(Në Itali, me përkthyesin Dritan Çela)
Më kishin ridërguar me punë në Itali, në ambasadën tonë në Romë dhe s’e di në isha i gëzuar që do të përsërisja atë detyrë dhe atë përditshmëri diplomatike pa shumë diplomaci. Ndieja një si ftohtësirë dhe më dukej vetja i pambrojtur. Nga kush? Nga gjithçka, edhe nga kujtimet. Në Itali s’ishte më miku i madh Ibrahim Kodra, postkubisti magjepsës, as patriarku i poezisë italiane, Mario Luzi, me të cilët flisja shpesh. Vetëm lulet mbi varret e tyre ishin pak. Natyrisht, kisha miq e të njohur të tjerë, ndërkohë ishte Roma, “Qyteti i përjetshëm”, ku edhe gurët flasin, muret, kalldrëmet. Të gjitha rrugët të çojnë atje, thashë me vete dhe shtova: tek arti i madh. Ndërkaq, vërtet kisha pasur fat, po vija sërish. Dhe mund ta vazhdoja, nëse ishte e mundur, ku e kisha lënë.
Kështu, vetëtimthi, m’u kujtua shtëpia e Buzzati-t, shkrimtarit të çuditshëm italian, që vazhdimisht vinte i fantazmtë, afrohej në gjuhën time. Por, tashmë, pata një si prerje përbrenda, siç ndodh nga rrallimi i ajrit. Përkthyesi i tij brilant, Dritan Çela, kishte ikur aq i ri, duke na dëshpëruar pandreqshmërisht të gjithëve, duke lënë një bosh në kulturën tonë bashkëkohore të përkthimit, një bosh që mrekullisht e mbush po vetë me punët që kreu, me bukurinë e të qenit i ri, fisnik dhe elegant. Një Romeo i përkthimit, thashë me vete, mbase nga që mbylli sytë në Itali, pikërisht në Parma, në qytetin e Romeos dhe Zhuljetës.
* * *
Me të shoqen e Buzzati-t njihesha, i kisha dhënë librat e botuar në Tiranë nga i ati i përkthyesit, shkrimtari ynë i njohur Zija Çela. Doja t’i telefonoja Almerinës, t’i thosha që isha rikthyer, ndërsa përkthyesi... Por si t’ia jepja këtë kumt, që as vetë ende nuk e pranoja? Doja që drita e Dritanit të mos venitej aspak tek ata, që s’dinin gjë për gjëmën, pasi për ne të tjerët ai sikur gjithnjë ishte i gjallë, i gjallë te punët e veta dhe nëpër kujtime, e po ashtu tek imazhi, një ikonë e pashuar, mjafton ta kishe parë një herë. Por shpirti buzzati-an, ai ankth ekzistencial, ajo estetikë muzgu, ku fjala është pikërisht siç duhet të jetë, e zhveshur nga lajlelulet, e plotë, tashmë qe mbërritur. Dhe përkthyesi dukej sikur prandaj nxitoi të ikte, të shkonte në shoqëri me të mëdhenjtë që përktheu, megjithëse aq i ri. Dritani s’do të plaket kurrë, thosha me vete, dhe vazhdimisht do ta ringjallë Buzzati-n për t’ua sjellë shqiptarëve. Veçse ti, ti pse atje, Dritan?, sikur më jepej të pyesja, i magjepsur nga vegimi... Ai buzëqesh lehtë, kthjellët, i dhëndërt, ashtu siç dinte Dritani, dhe asgjë nuk shpjegon, me dinjitetin suprem të ikjes, aq sa ne na kap një brengë therëse.
Në ato mëdyshje pra, iu vërsula telefonit, siç kërkoja dikur Zijain dhe më dilte Tani, alo, si je, si po shkon përkthimi, mirë, mirë, ja, fol me Zijain, i thoshte në emër të atit, se ishin bërë shokë e miq për shpirt. Sa bukur! Por edhe unë e kisha njohur fëmijë Dritan Çelën, në Kukës, ku dikur Zijain e patën çuar mësues në një fshat, e më pas edhe mua mësues në një fshat tjetër. Shtëpia e poetit Agim Spahiu (edhe ai na iku herët), ajo e Zijait dhe e skulptorit Hilmi Hoxha, ishin tri shtëpitë ku unë shkoja lirshëm dhe pritesha si bir, si vëlla. Dritanin e njihnim të gjithë dhe e donim atë vogëlush të bukur, gjithë kaçurrela të verdha, me sytë e mëdhenj dhe zërin e ëmbël. Unë pata fatin t’i bëja edhe ca fotografi bardhë e zi, me të vetmin aparat që erdhi në dyqanin e fshatit e që më kushtoi aq sa rroga ime. Dritan, i thashë një ditë me shaka, kush ka bërë më shumë libra, babi yt apo Skënderbeu? Ishim para bustit të Heroit Kombëtar. Po mendohej dhe unë as sot nuk e harroj atë pamje, gjithë butësi fëmije, me sytë shkrepëtitës. Të thoshte babi, i vinte keq për Skënderbeun. Të thoshte Skënderbeu, po babi? Eh, kanë bërë libra njësoj, u përgjigj. Qeshëm me të madhe. Është fëmija që barazon gjithçka, që dëshiron ta bëjë hero babanë dhe heroin e sjell atërisht afër të gjithëve.
Pastaj, si të thuash, do të vdisja unë, do të më flaknin në burg për punë poezish. Në hetuesitë e ferrit do të me pyesnin edhe për shkrimtarin Zija Çela, për një roman të tij ku protagonisti kishte emrin tim dhe jo vetëm emrin, ç’lidhje kishit ju të dy, i pandehur, fol! Etj, etj. Por Dritani na i kishte ndarë detyrat, duhej të tregoheshim pak skënderbejanë para errësirës dhe së keqes. Në burg, pas punës rraskapitëse në minierë, lexoja edhe gazetat me një tjetër qëllim, kërkoja emrat e miqve nëpër shkrime, të atyre që doja. Pra janë, çankthërohesha, nuk i kanë përzënë, dënuar. Ja, emri i Rudolf Markut, Ndoc Gjetjes, Bujar Xhaferrit, Faslli Halitit... I vetmi komunikim që më kishte mbetur. Ja, emri si pakëz shqiptar, arbëresh më shumë, i Dino Buzzati-t. Tregime të jashtëzakonshme, të shkëlqyera për t’i lexuar sidomos në burg. Të përkthyera posaçërisht për ne, thosha me vete. Dhe emrat e përkthyesve: Zija dhe Dritan Çela.
Tani i vogël qenka rritur, ngazëllehesha mes mynxyrës.
* * *
Ra diktatura, ne dolëm nga burgjet, por jo vetëm ne, edhe letërsia. Iu vërsulëm gazetave opozitare të porsakrijuara, shkruanim. Iu vërsulëm kufijve të porsahapur, ikëm jashtë shtetit, Itali, Greqi, Zvicër, Gjermani, Francë, Amerikë… Alo, Zija, ta kam gjetur romanin e Buzzati-t, do ta sjell kur të vij. Jo, jo, ma dërgo sa më parë, se do ta përkthejë Dritani, ma gjen dot edhe në frëngjisht? Do t’i them gruas së Buzzati-t, përgjigjesha plot shpresë, e njoha këtu në Milano.
Dhe kështu pastaj, kur u riktheva në Romë, desha s’desha, e shmanga mëdyshjen dhe i telefonova zonjës Buzzati. Alo, zonja Almerina, jam... Oh, si je, më vjen mirë që të dëgjoj, ku je? Kam ardhur prapë. Sa mirë. Jam në një ambasadë buzzati-ane, por dëgjoni, Buzzati do të ribotohet në shqip... Po, po, shumë mirë, Buzzati është dhe juaji tashti... Ah, zonjë, Përkthyesi na ka lënë, aq i ri, aq i bukur, si ato statujat e Mikelanxhelos!
Heshtje në anën tjetër. E rëndë. E ndërprerë me të rrahurat e zemrës. Mua, ndërkaq, më ndërmendej ritmi i dheut që ishte hedhur në atë varr, ishte hedhur me duar dhe i përzier me lot. Vajtonte dhe Marsi i Tiranës. Fjala s’kishte më fuqi, sikur kishte pushuar së qeni, dhe buzët qenë mbyllur. Ndoshta prandaj, shpesh, e ndiej nevojën të shfletoj Buzzati-n në shqip, tregimet e tij dhe atë romanin me kështjellë, ku vazhdimisht presim, presim, teksa na ikën herë-herë çfarë kemi më të shtrenjtë. Dhe ne presim këmbëngulës, si Krishtin, presim dritën, buzëqeshjen, fjalën, vetë vdekjen për t’u grindur me të. E shfletoj atë libër me kështjellë jete edhe për të dëgjuar fëshfërimën e erës, e cila sikur thotë emrin e Dritan Çelës mbi mermerin e varrit të tij. E di që është shumë pak. As libri tronditës i babait “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” nuk mjafton. Ti bëre më shumë, Dritan. Me gjithçka.
* * *
Almerina Buzzati u trishtua, kur i kumtova shuarjen e pabesueshme të Dritanit, atij përkthyesit të virtytshëm që kishte sjellë në shqip aq i ri libra të të shoqit, shkrimtarit të madh Dino Buzzati. Në botimin e parë të “Gruaja me flatra”, Zijai kishte përfshirë edhe një intervistë timen me Almerinën dhe libri ndodhej prej kohësh në shtëpinë e saj. Seç ndjeu ajo zonjë prej mortjes. Dhe unë, në anën tjetër të telefonit, ndjeva heshtjen si një gropë. Më vjen keq, belbëzoi, shumë keq, shumë... Ndërkaq, më vonë, atë intervistë me Almerina Buzzati-n e kisha kaluar edhe në një libër me ese, “Në emër të a(r)tit”, që doli në Shkup nga shtëpia botuese me emrin “Serembe”, poetit arbëresh me fat tragjik. Ndoshta në atë kohë që libri ishte në shtyp, Dritan Çela dergjej në shtratin e vdekjes në Itali. Me prindërit te koka, me motrën, me gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Çfarë lehtësimi për të! Dhe çfarë dhembje për ata që e rrethonin, çfarë prove e rëndë, o Zot!
E takova Zijain në Tiranë, po më tregonte një ditë shkrimtari arbëresh Carmine Abate, tashmë i njohur në të gjithë Italinë, romanin e parë të të cilit e përktheu në shqip Dritani. Po ai përkthim u ribotua nga “Dukagjini” në Kosovë më 1994 dhe nga “Toena” më 2008. Edhe Abate-n, si Buzzati-n, e boton editori më i madh italian, “Mondadori” shekullor. Si është përkthimi, më pyeti Abate. I shkëlqyer, ia ktheva. E di, u gjegj, ma kanë thënë. Pastaj vazhdoi të më tregonte: Isha në Tiranë për Panairin e Librit, se m’u ribotuan dy romanet, por ç’t’i thosha Zijait. Na arbëreshët thomi: Nuk kjan burri. Por ai që përlotet është më burrë, e ndërpreva unë. Bravo, tha Abate, ashtu është!
Dhe m’u lëbyrën sytë, m’u përshfaq një pllakë e bardhë mermeri, jo mbi varr, jo, por mbi një mur të ngrohtë qyteti, në hyrje të një godine në Castellnovo, ku do të dëshiroja të shkruhej: “Këtu ka banuar Dritan Çela, një djalosh shqiptar që përktheu të mëdhenjtë, madje dhe popullin, në afrim të dy vendeve tona.”