E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza energjitike, shirat rrisin prurjet në Fierzë

Prurjet arrijnë në 300 metër kub ujë në sekondë nga 20-22 metër kub që ishte më parë.Për herë të parë niveli i Liqenit ka pësuar rritje duke shkuar në kuotën e 276.82 metrave.

Kukes- Shirat e ditëve të fundit që kanë përfshirë të gjithë rajonin,kanë ndikuar në përmirësimin e situatës hidrike në basenin e HEC-it të Fierzës, ku ato janë 15- fishuar. Shqipëria Verilindore, por edhe Kosova dhe Maqedonia Perendimore janë përfshirë gjatë këtyre 48 orëve në reshje të dendura të shiut të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e prurjeve në liqenet e kaskadës së Drinit. Drini i Zi dhe Drini i Bardhë janë ushqyesit kryesorë të basenit të HEC-it të Fierzës të cilët burojnë respektivisht nga liqeni i Ohrit dhe malet e Pejës.

Rënia e shirave në këto rajone ndikon kryesisht në përmirësimin e situatës hidrike në HEC-in e Fierzës. Burime nga salla e komandës në HEC-in e Fierzës kanë bërë të ditur për Shekullin se mbrëmjen e së hënës, ditë në të cilën janë shënuar reshjet më të mëdha, prurjet në basenin e HEC-it Fierzë kanë regjistruar në 300 metër kub ujë në sekondë, nga 20-22 metër kub ujë në sekondë që kanë qenë para rënies së shirave. Ndërkohë që mëngjesin e së hënës, në një periudhë të shkurtër, ato kanë regjistruar edhe 400 metër kub në sekondë. 15 fishimi i prurjeve ka bërë që niveli i liqenit të HEC-it Fierzë për herë të parë të shënojë rritje, ku ka kapur nivelin e 276.82 metër.

Ndërkohë që në HEC-i Fierzës janë në punë gjatë 24 orëve dy agregatë, nga katër që janë të instaluar gjithsej. Prodhimi i dy agregatëve është i barabartë ne 6 mijë megavatorë energji elektrike (6 milionë kilovatorë). Gjithsesi, duke iu referuar situatës së vitit kaluar në basenin e HEC-it Fierzë kemi të bëjmë me një situatë relativisht të kënaqshme. Në mesin e tetorit të vitit kaluar situata hidrike në HEC-in e Fierzës ishte nga më të rëndat që nga ndërtimi i këtij hidrocentrali, përjashto atë të janar-shkurtit të vitit 2001, kur niveli i ujërave arriti në kuotën e 246 metrave, vetëm katër metra larg nga pika e vdekjes.

Krizat e rënda të këtyre viteve të fundit kanë filluar në tetor të 2005-ës, por në këtë vit (2005-ën) u arrit shpejt kthesa pasi në javën e parë të dhjetorit, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që u regjistruan në rajonet e veriut të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Në fillim të nëntorit të vitit 2005, niveli i ujërave të liqenit të Fierzës ka qenë 253.70 metër, ose 9 metër më pak nga sa është me 7 dhjetor të vitit 2006. Por në vitin 2005, pikërisht në muajin dhjetor, nisi kthesa, ku si pasojë e shirave të mëdha që filluan me 1 dhjetor dhe vazhduan përgjatë 1 jave, nga 257.5 metra kuota e liqenit të Fierzës arriti në 267 metra, ose 5 metra më shunë se në dhjetor të vitit 2006.

Kuota maksimale e Liqenit të Fierzës është 296 metër, ndërkohë që pika e vdekjes është kuota 242 metër, ku në këtë kuotë nuk punojnë turbinat. Kur niveli i ujrave në Liqenin e Fierzës bie nën 260 metër turbinat nuk punojnë me regjim normal, pasi kanë probleme me grushtet hidraulike . Fuqia normale e një turbine kur ajo punon me ujë mbi kuotën e 260 metrave është 125 megavatorë,ndërkohë që fuqia e së njejtes turbinë kur ajo punon me ujë nën kuotën e 260 metrave është 75-80 megavatorë-sqarojnë specialistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›