E Diel, 1 Nëntor 2026

Granatë në mes të natës në oborrin e shtëpisë

Granata ofensive është hedhur nga persona të paidentifikuar në orët e mesit të natës

RRËSHEN- Është kërcënuar me anë të një granate ofensive familja Shtjefanaku në fshatin Ndërfushas të bashkisë së Rrëshenit. Burimet policore vendore thanë se granata ofensive është hedhur nga persona të paidentifikuar në orët e mesit të natës, ndërsa familjarët e kësaj shtëpie kanë qenë në gjumë. Për fat, përveç kraterit të hapur në oborr dhe thyerjes së xhamave dhe një paniku psikologjik që u është krijuar pjesëtarëve të famijes së kësaj shtëpie, nuk ka patur dëme të tjera, aq më tepër në njerëz.

Plasja e granatës është dëgjuar nga ana e familjarëve të Fran Shtjefanakut, por fillimisht e kanë pandehur si ndonjë shpërthim minash që rëndom ndodhin në këtë zonë nga puna që bëhet në hapjen e trasesë së autostradës, por vetëm kur kanë dalë jashtë kanë vënë re një krater të hapur në mesin e oborrit të shtëpisë. Pikërisht në këtë moment e kanë kuptuar se shtëpia e tyre ishte sulmuar me granatë ofensive.

Policia është lajmëruar për këtë ngjarje ndaj ka shkuar në fshat ku ishte hedhur granata dhe ka këqyrur vendin e ngjarjes duke përcaktuar se në drejtim të shtëpisë ishte hedhur një granatë ofensive. Po në këto momente kanë qenë dhjetëra banorë të fshatit që janë grumbulluar tek shtëpia ku ishte hedhur granata.

Deri më tani ende nuk ka një pistë të saktë përse është mësyer me granatë kjo shtëpi, nëse lidhet me ndonjë konflikt të fëmijëve me moshatarë të tyre apo versioni tjetër nëse është ngatërruar adresë, ndërsa edhe ndonjë i dyshuar që është shoqëruar është liruar pasi nuk ka patur prova që të fajësojnë me emra të përcaktuar. Megjithatë policia po heton për këtë akt që ajo e ka quajtur terrorist pasi në shtëpi ka pasur dhe fëmijë dhe vetëm fati ka qenë me ta për të mos pësuar humbje njerëzore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›