Dosjet, reagon PD-ja: Ligji nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit
Tiranë- “Projektligji për Dosjet nuk është një akt hakmarrje, por respekt ndaj viktimave të komunizmit”. Me këtë deklaratë Partia Demokratike ka kundërshtuar përcaktimin e PS-së për ligjin e shumëdebatuar të dosjeve.
Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, theksoi në një konferencë për shtyp se "p/ligji që do të votohet të hënën në Kuvend është një variant i ligjit çek, një nga më të mirët në fushën e lustracionit”.
Sipas tij, ky është një proces jetik në vendosjen e standardeve demokratike dhe nuk është një akt hakmarrje, por një akt respekti ndaj të gjithë viktimave të regjimit komunist, që u ekzekutuan, torturuan dhe vdiqën për të drejta njerëzore. Po ashtu, ai është një detyrim madhor dhe historik ndaj kombit shqiptar.
Reagimi ka ardhur pas deklaratave të nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, që u shpreh kundër këtij drafti, të miratuar pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, pa votat e saj.
16.34Dosjet, Braçe: PD kërkon bllokimin e “Gërdecit” dhe “Fazllic”Tiranë- Partia Socialiste është shprehur sot kundër projektligjit për hapjen e dosjeve, duke theksuar se kjo është një përpjekje e mazhorancës për të bllokuar dosjet e rëndësishme të Gërdecit dhe të çështjes Fazllic. Sipas numrit dy të grupit kuvendor të PS-së, Erion Braçe, ligji i famshëm për hapjen e dosjeve synon ndëshkimin e pavarësisë së institucioneve.
“Ligji i famshëm për hapjen e dosjeve nuk do të hapë dosjet as zyrtarëve të lartë, as të atyre që kanë punuar për agjenturat e huaja në Shqipëri dhe as të atyre që i kanë shërbyer UDB-së serbe. Ky ligj synon ndëshkimin, spastrimin, shtetëzimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese si prokuroria dhe gjykata”- tha Braçe sot gjatë një konference për shtyp.
Ai ka garantuar se nuk do të ketë zot që të mbyllë dosjen për Lulzim Bashën dhe vjedhjen në segmentin Rrëshen Kalimash. Por ka shprehur shqetësimin se ky ligj synon mbylljen e dosjeve për tragjedinë e “Gërdecit” dhe atë të sekserit serb, Damir Fazllic.
Braçe në fjalën e tij u ndal në vendimet e marra për segmentin Rrëshen-Kalimash, për të cilin dha fakte se vendimet e marra kanë qenë jo ligjore.
“Nga 3 vendime të rëndësishme për Procedurat e Prokurimit Publik, si dhe të miratimit të kontratës me Bechtel- Enca, njëri është marrë në rrugë jonormale pa mbledhje qeverie, tjetri është thellësisht i falsifikuar jashtë mbledhjes së qeverisë, dhe i treti është marrë në mbledhje qeverie përmes kundërshtimeve të ashpra të të paktën dy ministrave të qeverisë së Sali Berishës për paligjshmëri”- tha Braçe.
Sipas tij, kryeministri Sali Berisha përsëriti dje avokatinë politike për një ministër të pandehur, ende në detyrë, duke dhënë shembullin tipik për shoqëri korruptive sipas të cilave drejtësia funksionon për cilindo, por jo për pushtetarin.
“Kryeministri Sali Berisha përsëriti edhe dje avokatinë politike duke thënë se vendimet për vjedhjen shembullore të shekullit në vetëm 60 km rrugë Rrëshen- Kalimash i ka marrë qeveria dhe jo ministri i pandehur”- tha ai, duke shtuar se Berisha përsëriti edhe dje se akuzat që denoncojnë dhe që përmes një procesi të drejtë gjyqësor kërkojnë ndëshkim për vjedhjen janë akuza të një prokurorie politike.