Kriza evropiane kërcënon SHBA
i cili tha se në rast se do të dështohet në menaxhimin e krizës evropiane, atëherë tregjet financiare do të ngrijnë dhe kjo do të ndezë një krizë globale financiare të njëjtë me rrëzimin financiar të 2008. Deri në javën e kaluar zyrtarët e Rezervës Federale, mohonin çdo mundësi të ndikimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga kriza evropiane. Deklaratën e tij Tarullo e bëri përpara një komisioni të Kongresit. Kostoja e borxhit ndërbankar për dollarin amerikan, u rrit në pikën më të lartë 10 mujore. Investitorët mendojnë se 1 trilion dollarë nuk do zgjidhin problemet e evropiane. Analistët thanë se komentet e Guvernatorit të Rezervës Federale, janë një prononcim shumë i rrallë për çështjet ekonomike, pasi zakonisht Guvernatori përqendrohet në çështjet e mbikëqyrjes financiare.
Samiti aprovon reformën financiare
Senati Amerikan i dha fund debatit disa mujor, duke miratuar në mbrëmjen e së enjtes reformën financiare të presidentit Obama. Me 59 vota pro dhe 39 vota kundër senati miratoi edhe reformën më të thellë financiare që synon të riformatojë Wall Street, për herë të parë që nga viti 1930. Ndërkohë presidenti Obama ka shënuar edhe fitoren e dytë politike që pason miratimin e reformës në shëndetësi. Reforma financiare vendos rregulla më të forta të mbikëqyrjes, mbi sistemin financiar që ishte edhe shkaktari i recesionit dhe krizës më të rëndë globale që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Tashmë projektligji i Senatit, duhet të bashkohet me projektligjin e miratuar në muajin dhjetor nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe vetëm pas këtij bashkimi, versioni përfundimtar do të shndërrohet në ligj. Ndërkohë industria bankare në memot drejtuar klientëve, ka thënë se reforma do të ulë përfitueshmërinë e tyre në vitet në vijim. "Reforma financiare do të mbrojë konsumatorët, do të mbrojë ekonominë tonë, dhe do ta bëjë Wall Street të përgjegjshëm," tha Obama.
Çmimi i naftës bie në 70 dollarë për fuçi
Çmimet e naftës amerikane ranë pranë 70 dollarëve të premten, pasi kishin rënë edhe një ditë më parë, prej frikës së pazbutur se kriza e borxheve e Evropës do ta dëmtojë rritjen ekonomike globale dhe do të pakësojë kërkesën për energji. Stoqet globale dhe mallrat parësore u shitën të enjten, me aksionet aziatike që vazhduan të fundosen të premten, pasi investitorët i hoqën qafe asetet me risk dhe iu sulën mjeteve të sigurta, si bonot amerikane, duke shkaktuar forcimin e dollarit. Nafta bruto amerikane për qershorin ra 72 centë në kuotën 70,10 dollarë për fuçi, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të pësuara gjatë këtij sesioni. Të enjten, tregtia e kontratave të qershorit njohu lëvizjen më të madhe ndërditore, me një shtrirje prej 7 dollarësh, duke rënë pothuaj 3 për qind në përfundim të afatit të tyre të skadimit. Nafta Brent e Londrës ra 31 centë në 71,50 dollarë për fuçi.Indeksi Reuters-Jefferies CRB i 19 mallrave parësore, i cili konsiderohet bençmark botëror, ra 1,02 për qind të enjten, duke arritur nivelin fundor të vërejtur shtatorin e kaluar.