E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 5 policët bashkiakë gjakosin tregtarin ambulant

 

Dashamir Biçaku

Pesë policë të Bashkisë së Tiranës dërgohen për ndjekje penale pas denoncimit të një tregtari ambulant për ushtrim dhune ndaj tij. Ngjarja ka ndodhur pasditen e të hënës në sheshin "Skënderbej", pranë stacionit të autobusëve të linjës së Laprakës në Tiranë. Agron Shkurta, një tregtar ambulant 50-vjeçar dhe pesë punonjës të policisë bashkiake janë përfshirë në konflikt dhe si pasojë tregtari ka mbërritur i gjakosur në spital. Policët bashkiakë sipas burimeve zyrtare, si dhe në bazë të deklarimeve të personit të dëmtuar, kishin shkuar për të verifikuar lejen e ushtrimit të aktivitetit nga 50-vjeçari. Tregtari i dëmtuar ka denoncuar pesë punonjësit e grupit të gatshëm, të cilët janë Bekim Dallashi, 27 vjeç, Alfred Kllojka 26 vjeç, Gjin Deda 49 vjeç, Genc Balla, 28 vjeç dhe Rrok Lleshi 39 vjeç. Sipas burimeve zyrtare nga policia e kryeqytetit, i dëmtuari ka qenë duke kryer si çdo ditë tregtinë e tij të vogël për të shitur ndonjë artikull, ndërsa aty kanë mbërritur pesë punonjës të grupit të gatshëm të policisë bashkiake me një furgon. Pasi i kanë kërkuar të dhënat në lidhje me aktivitetin e tij ambulant në këtë zonë ata kanë dashur ta përzënë tregtarin. Sipas denoncimit të bërë në seksionin e hetimit të krimeve ndaj shëndetit dhe jetës, 50-vjeçari ka pohuar se kërkesa e bashkiakëve për verifikim të aktivitetit të tij, ka qenë fare formale pasi menjëherë efektivët e policisë bashkiake, nuk kanë zgjatur në veprimet e tyre procedurale. Ambulanti 50-vjeçar, ka pohuar në polici, se sapo u ka kërkuar bashkiakëve shkakun përse po verifikonin, ata i janë kthyer duke ushtruar dhunë dhe duke qëlluar ndaj tij. Sipas të dëmtuarit, të pestë policët bashkiakë kanë përkrahur njëri-tjetrin kundrejt shmangieve të tregtarit që tentonte të mbrohej nga dhuna e policëve bashkiakë. Nga veprimet e policisë bashkiake karroca e tregtarit ambulant është prishur dhe asortimentet që ndodheshin në të janë hapur aty si dhe një pjesë e tyre janë bllokuar nga efektivët bashkiakë. Tregtari ambulant është detyruar të marrë mjekimin e duhur në spital ndërsa më pas ka denoncuar bashkiakët në policinë e Tiranës për ushtrim dhune. Pas marrjes së dëshmisë së tij, policia ka nisur hetimin mbi ngjarjen, duke dërguar për ndjekje penale, Bekim Dallashin, 27 vjeç, Gjin Dedën 49 vjeç, Genc Ballën 28 vjeç, Rrok Lleshin 39 vjeç, Alfred Kllojkën 26 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›