"Emigranti u vra për hakmarrje"
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Vrasja e Frederik Qerthaçit është kryer për hakmarrje. Mekanizmi dhe rrethanat që janë përdorur për ekzekutimin e emigrantit të kthyer në Shqipëri katër muaj më parë, hedhin dyshime të forta pikërisht në këtë pistë, por nuk përjashtohen edhe motive të tjera të mundshme. Ndonëse familjarët dhe të afërmit e viktimës kanë ngritur supet, duke mos cituar ndonjë dyshim të tyrin për vrasjen, grupi i hetimit është duke mbledhur të dhëna për veprimtarinë e tij jashtë vendit. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Frederik Qerthaçi, nga fshati Mushan i komunës Dajç ishte kthyer nga Italia, pasi atje kishte kryer një krim. Qerthaçi ishte identifikuar nga policia italiane si autor i plagosjes së një shtetasi shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Burime në policinë e Shkodrës bënë të ditur se 23-vjeçari ka qenë emigrant fillimisht në Amerikë e që andej në Itali. Nuk dihet pse i riu la Amerikën për t'u vendosur në shtetin fqinj, por ajo që është verifikuar deri më tani është fakti se largimi i tij nga Italia është bërë për t'u shpëtuar prangave të policisë vendase. Tashmë grupit të hetimit do t'i duhet të bëjnë verifikime në dy kontinentet për të mbledhur të dhëna në lidhje me veprimtarinë e viktimës, në SHBA dhe më pas në Evropë, Itali. Kjo për faktin se viktima mund të ketë pasur një të kaluar të dyshimtë, e cila u finalizua me ekzekutimin e tij të hënën. Policia e Shkodrës ka shoqëruar 20 persona deri më tani, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe motivet e saj. Por burimet pohuan se nisur edhe nga mënyra e ekzekutimit së të riut mund të nxirret një konkluzion, që kemi të bëjmë me një rast hakmarrjeje. Një dyshim i tillë mbështetet nga numri i madh i plumbave (Qerthaçi ka marrë 10 plumba në trup) si dhe nga distanca e afërt nga ku është qëlluar. Në të njëjtën kohë, blutë po hetojnë edhe nëse viktima kishte pasur ndonjë konflikt gjatë ditëve të fundit në zonën e Dajçit. Nisur nga vendi ku është gjetur trupi i 23-vjeçarit, burimet policore shprehen se autorët duhet ta kenë njohur mirë zonën. Ata kanë zgjedhur një vend të parrahur nga njerëzit për ta ekzekutuar të riun. Madje, duket se autorët kanë gjetur një vend të tillë me qëllim që trupi i tij të mos gjendej aq shpejt. Një kalimtar që shkonte tek pronat e tij, gjeti trupin e pajetë të viktimës, i cili u identifikua nga policia disa orë më pas.