Kriza financiare, UEFA kërcënon klubet me borxhe
Kriza financiare, që po godet të gjithë planetin, ka prekur edhe botën e futbollit. Mjafton të mendosh për aksionet e klubeve të kuotuar në bursë: vetëm në muajin e fundit, titulli i AS Roma ka humbur më shumë se 25 për qind në "Piazza Affari", por edhe Juventus e Lacio nuk po ia kalojnë mirë dhe ditën e hënë e kanë lënë bursën respektivisht me 7.39% e 19.58%. Pikërisht presidenti i bardhekaltërve, Klaudio Lotito, po provon të gjejë një zgjidhje: "Duhen privatizimi i stadiumeve, ka deklaruar ai, në të kundërt rrezikohet rrënimi ekonomik. Futbolli duhet të ndjekë një rrugë tjetër, klubet nuk munden më të varen nga fatet e lojtarëve të tyre, por duhet të kenë mundësinë për të krijuar vetadministrimin e tyre". Edhe një vend shumë i përparuar në këtë sens si Anglia ka mjaft probleme. Liverpuli ka momentalisht të gatshëm projektin për të ndërtuar stadiumin e ri, në të kundërt, Federata e Futbollit ka denoncuar borxhet prej 3 miliardë sterlinash nga ana e klubit të Premier League. Mes skuadrave angleze më në vështirësi ekonomike është Uest Hemi, i pronarit islandez Gudmundsson, banka e të cilit, "Landsbanki", është në pragun e falimentit. Zëvendëspresidenti Fridgeirson tha se shoqëria mund të arrijë në përfundimin për shitjen e disa lojtarëve të rëndësishëm në merkaton e janarit. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një lajm të mirë për trajnerin italian Xhanfranko Zola.... Për më tepër, UEFA po studion marrjen e masave. Sekretari i përgjithshëm, Devid Tejlor, ka njoftuar: "Në të ardhmen, klubet me shumë borxhe mundet të përjashtohen nga Champions League dhe Kupa UEFA".