E Diel, 1 Nëntor 2026

VASILI: “Jemi të gatshëm për ndihmë ndaj grevistëve”



Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka deklaruar se strukturat që ai drejton janë në gatishmëri 24 orë për t’u ardhur në ndihmë grevistëve opozitarë, por thekson se nuk mund të japë ndonjë informacion për kushtet e grevistëve, pasi nuk shërbejnë në ambientet e brendshme të grevës. “Nuk kemi informacione për kushtet e grevistëve, pasi komunikojmë vetëm me organizatorët e kësaj greve. Shërbimi ynë kryhet vetëm në terren, dhe jo në ambientet e brendshme”, – deklaroi Vasili Ministri Vasili thekson se shërbimi brenda çadrave bëhet nga vetë Partia Socialiste, por strukturat që ai drejton janë të gatshme të ndërhynë sa herë që u kërkohet. “Strukturat tona janë në gatishmëri 24 orë, për t’iu gjendur pranë grevistëve, por aktualisht shërbimi brenda çadrave bëhet nga PS-ja”, – u shpreh Vasili.

Toçi: “Qeveria po na grabit tokat dhe pronat”

Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, gjatë fjalës së tij pasditen e djeshme në protestë ka akuzuar qeverinë “Berisha” se po grabit xhepat dhe pronat e familjeve shqiptare dhe ka theksuar se protesta nuk do të ndalet. “Po grabiten tokat dhe pronat. Ndaj, sot, 4 ditë pas fillimit të protestës së pandalshme, nuk kemi një protestë vetëm në Tiranë, por kemi një popull të tërë të revoltuar. Edhe emigrantët tanë kanë ardhur për të na mbështetur në këtë protestë dhe grevë. Ne i falënderojmë vëllezërit tanë grevistë dhe dëshira e tyre për të qenë brenda çadrave ngre moralin tonë”, - ka pohuar Toçi. Më tej, deputeti socialist i është drejtuar kryeministrit Sali Berisha, duke u shprehur se qeveria e dalë nga votat e vjedhura të Ruzhdies nuk do ta pengojë apelin e opozitës. “Na mungon vetëm një njeri, një palo burrë, kryeministri i Ruzhdies. Dritat e zyrës së tij janë të fikura, xhamat e dritares të blinduara, por asgjë nuk e pengon apelin tonë: Zgjidh situatën, ose ik!” - tha Toçi.

Milo: “Protesta jonë, jo për pushtet, por për lirinë e votës”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në fjalën e tij në protestën e opozitës para selisë së Kryeministrisë ka deklaruar se manifestimi i nisur duhet të shkojë deri në fund. Milo është shprehur se kjo protestë nuk ka të bëjë me pushtetin e një partie, por me lirinë e votës. “Kjo rezistencë duhet të shkojë deri në fund. Kjo protestë është një stafetë ku duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pasi nuk bëhet për pushtetin e një partie, por për lirinë”, - ka pohuar Milo.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›