E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare, këmbëkryq në Evropë

Janë tashmë disa qeveri evropiane, që po luftojnë për shpëtimin e bankave të rëndësishme nga falimentimi. Këtë po e bëjnë kryesisht për bankat përkatëse, vetëm dy ditë pas takimit të katër liderëve të ekonomive më të mëdha të kontinentit, të cilët ranë dakord për masa më të rrepta kontrolli dhe reagim të koordinuar përballë krizës botëror.

Në Berlin, qeveria gjermane nisi bisedime urgjente lidhur me trajtimin e krizës pas kolapsit të "Hypo Real Estate AG", banka e dytë në rang vendor në tregun e huadhënies së pasurive të paluajtshme. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, garantoi se ekonomia më e madhe në Evropë "nuk do lejonte që rënia e një instituti financiar të shkaktonte rënien e gjithë sistemit", duke nënvizuar se asnjë individ nuk duhej të trembej për të ardhmen e kursimeve vetjake. Më pas, ministri i Financave i këtij vendi përsëriti se qeveria do të garantonte të gjitha kursimet e qytetarëve gjermanë.

Kryeministri belg, Iv Leterm, deklaroi dje se ishte në kërkim të një pronari të ri për bankën "Fortis NV", i cili të mund të garantonte besimin brenda kësaj kompanie, përpara hapjes së tregjeve të hënën në mëngjes. Ndërkaq, operacionet e Bankës Holandeze u shtetëzuan prej frikës së falimentimit. Shefi i Thesarit britanik, Alister Darling, deklaroi se qe gati të ndërmerrte "hapa mjaft të mëdhenj, të cilët zor të ndërmerren në kohë normale" për ta mbrojtur vendin nga ndonjë rrezik i mundshëm. Në një intervistë të dhënë për BBC, Darling sqaroi se qeveria, e cila ka vënë miliarda dollarë për të mbështetur sektorin bankar, ka arritur në përfundimin se "duhen marrë masa në vija të përgjithshme, ashtu si edhe duhet ndërhyrë me veprime të posaçme, në rast se edhe ndonjë bankë e caktuar shfaq probleme". Kohë më parë, qeveria britanike ka marrë masa për shtetëzimin e huadhënësve "Northern Rock" dhe "Bradford & Bingley".

Të shtunën, liderët e Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe Italisë u takuan për të diskutuar kolapsin financiar, që pak nga pak po transmetohet përmes Atlantikut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Evropë, por nuk panë me vend të ndërmerrej një plan shpëtimi si ai prej 700 miliardë dollarësh, të ndërmarrë tashmë në Amerikë. Dhe, ndërsa katër ekonomitë më të mëdha evropiane qenë të një mendjeje se duheshin koordinuar reagimet e secilës për të ndihmuar bankat në vështirësi, dështimi në arritjen e një plani të koordinuar të të gjithë Bashkimit Evropian nënvizoi mosmarrëveshjet brenda shteteve të kontinentit të vjetër për mënyrën si duhet përballur kjo krizë.

Franca sugjeroi një plan gjithëpërfshirës shpëtimi shumëmiliardë dollarësh, por u tërhoq, pasi Gjermania doli me qëndrimin se bankat duhet të dilnin vetë nga kriza. Qëndrimi gjerman u bë i qartë në një çast kur kërkohej me të gjitha mundësitë shpëtimi i gjigandes gjermane të kredive "Hypo Real Estate". Nga kjo bankë u bë me dije të shtunën se plani i shpëtimit kishte dështuar në çastin e tërheqjes së huadhënësve privatë, një element kyç në propozimet e bëra nga Bashkimi Evropian në fillim të javës së shkuar. Nuk dihet ende nëse qeveria gjermane, e cila planifikonte injektimin e rreth 37.35 miliardë dollarëve për shpëtimin e bankës do ta rrisë edhe më tej këtë shifër tani që paketa e parë dështoi.

Në Islandë - një prej vendeve më të ekspozuara ndaj krizës amerikane - qeveritarët dhe krerët e institucioneve bankare po diskutojnë për krijimin e një plani shpëtimi. Bankat islandeze u shtrinë me shpejtësi marramendëse pas liberalizimit të tregut të brendshëm financiar gjatë viteve nëntëdhjetë dhe tani kanë një tepricë asetesh të grumbulluara nga bashkëpunimi me institucionet e huaja me vlerë rreth 138.34 miliardë dollarë. Javës së shkuar qeveria mori përsipër të mbështesë bankën "Glitnir", e treta për nga rangu në Islandë, vendim që i shtyu agjencitë e mëdha të vlerësimit të ulnin ndjeshëm vlerësimet për katër bankat më të mëdha të vendit, ashtu si edhe ato të qeverisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›