E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pushtet" përlot spektatorin

"Pushtet" është shfaqur mbrëmjen e djeshme në teatrin "Bylis" të Fierit. E shkruar nga argjentinasi Eduardo Pavllovski, vepra është shqiptuar nga aktori dhe regjisori Minella Borova. Ajo është ngjitur në skenë nga regjisori Adonis Filipi, ndërsa kanë interpretuar aktorët Klajdi Marku dhe Doriana Caushit. E ngjitur edhe më parë në skenën e teatrit fierak, vepra e Pavllovskit kësaj here solli një risi për skenën fierake. Sipas organizatorëve, risia shfaqet në rrafshin dy dimensional. Nga njëra anë tregon dëshirën artistike të spektatorit dhe artdashësve fierakë, dhe nga ana tjetër rishfaqjen në mënyrë edhe më cilësore, më profesionale. Vepra është më e pjekur e këtë e shfaqin edhe vetë aktorët në skenë. Spektatori fierak provoi emocione të forta në lojën plot ndjenjë të aktorit Klajdi Marku. Me një subjekt krejtësisht të veçantë, "Pushtet" rrëfen dramën e një familjeje argjentinase, por që në një kuptim përputhet me dramën e të gjitha familjeve në botë, edhe atë shqiptare. Ajo tregon se si prindi humbet "pushtetin" para fëmijës, kur ai rritet dhe bëhet mazhoren. Në një dekor të trishtë ku u luajt kakofonia makabre e një familjeje argjentinase, mbushur tërë dramacitet nga mungesa dhe koloriti i jetës së gjallë brenda saj, e vetmja që ua "shprishte" zymtësinë dhe monotoninë çiftit intelektual ishte pikërisht drita e syve të tyre, vajza 18-vjeçare Adriana. Por ajo nuk ishte vajza e tyre natyrale. Ata e kishin birësuar Adrianën, e megjithatë kjo nuk i pengonte të kishin me të një lidhje të fortë shpirtërore, gati të pandashme. Vjen një ditë dhe Adriana vendos të largohej nga shtëpia në të cilën u rrit me aq dashuri. Tashmë në moshë madhore ajo vendos ta marrë vetë "timonin" e jetës, sepse "kohërat kanë ndryshuar". Sipas regjisorit Adonis Filipi, drama e shkruar nga autori argjentinas ishte më shumë se kurrë bashkëkohore. "Kjo monodramë titullohet ‘Pushtet‘, tha ai dhe jo ‘Pushteti‘. Pushteti është diçka zyrtare, shtetërore, ndërsa ‘pushtet‘ është pushteti i munguar i prindërve ndaj fëmijëve të tyre kur ata bëhen madhorë, pamundësia e fjalës së tyre dhe për më tepër mungesa e vëmendjes së fëmijëve ndaj prindërve që i rritën me aq shumë dashuri", shprehet ai. "Me një gjuhë tejet elegante, me një stil modern dhe të stërholluar, monodrama rrezatoi jo vetëm dramën njerëzore, por sidomos kulturë, që u reflektua nga duartrokitjet dhe pritja që publiku i bëri shfaqjes", thotë aktori Klajdi Marku. Pas suksesit para publikut fierak, monodrama "Pushtet" nis sot udhëtimin drejt Maqedonisë, për të garuar në Festivalin Mbarëkombëtar të Dibrës në Maqedoni, i cili nis dy ditë më vonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›