E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, do mjaftojnë 700 miliardë dollarët?

Plani i ndihmës financiare prej 700 miliardë dollarësh, i miratuar të premten, mund të bëjë të mundur që bankat të rinisin të bashkëpunojnë me njëri-tjetrën. Por mbetet për t‘u parë nëse do jetë në gjendje të shërojë ekonominë që ka nisur të lëngojë. Synimi i tij është shkrirja e tregjeve të kredisë. Institucionet financiare janë paralizuar nga frika dhe, megjithëse kanë sasi të konsiderueshme parash nëpër duar, druhen t‘i vënë në lëvizje. Pa ndërveprim mes bankave, biznesi nuk arrin të sigurojë as sasitë e likuiditetit që i nevojiten për kryerjen e operacioneve të përditshme, e jo më të mendohet për hua me afate të gjata kohore.

"Shpresojmë që vënia në dispozicion e këtij e fondi do arrijë të qetësojë tregjet", tha për median amerikane CNN, Xho Belju, presidenti i Shoqatave të Bankave të Konsumatorëve. "Duhet të marrim frymë thellë, të çlirohemi nga ngërçi dhe t‘ia nisim sërish punës".

E, megjithatë, shumë ekspertë mendojnë se bankat nuk do e rinisin aktivitetin e huadhënies mëngjesin e nesërm. Që në tregjet financiare të rikthehet siguria mund të nevojiten javë të tëra. Madje, edhe më gjatë. Në thelb qëllimi i injeksionit 700 miliardë dollarësh është blerja e aseteve të lidhura me kreditë e këqija. Duke ndihmuar bankat të balancojnë aktivitetin e tyre mendohet se do arrihet shpejt që këto institucione të krijojnë besimin e nevojshëm në treg dhe të rinisin kredidhënien. Sekretari amerikan i Thesarit ka 45 ditë kohë për t‘i blerë këto asete.

Ndërkohë që pikëpyetja më e madhe vendoset mbi çmimin, me të cilin do t‘i blejë Departamenti i Thesarit të shtetit amerikan këto asete. Blerjet me çmime shumë të ulëta - gjë pozitive për taksapaguesit, nga xhepat e të cilëve janë nxjerrë 700 miliardë dollarët - mund të bëjnë që bankat mos të marrin atë sasi parash për të cilën kanë nevojë për të baraspeshuar humbjet në bilanc. Disa prej tyre mund të gjenden përsëri përpara nevojës për para të tjera. Ndërkohë që, edhe vetë Presidenti Bush u kërkoi amerikanëve të bënin durim, pasi kriza nuk mund të kalonte sa hap e mbyll sytë, investitorët e mëdhenj mund të vendosin të rrinë mënjanë edhe më gjatë në pritje të zhvillimeve të reja.

Gjithsesi, shumë ekspertë të ekonomisë thonë që Presidenti dhe mbështetësit e ndihmës financiare po vizatojnë një kuadër shumë optimist për këtë problem. Derisa dallga e falimentimeve të mbarojë bashkë me rëniet e forta të çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme, bankat nuk binden të japin përsëri hua, gjë që do të thotë se as ekonomia nuk do jetë në gjendje të bëjë përpara. Në fakt, sipas një sondazhi të realizuar të enjten e shkuar nga shoqëria "Deloitte", rreth një në çdo tre ekzekutivë institucionesh financiare me peshë mendonin se standardet e kreditimit do vazhdonin të mbeteshin të ngurta edhe në rast se Kongresi amerikan miratonte planin 700 miliardë dollarësh për daljen nga kriza.

Por është edhe një problem tjetër: deri në çastin kur të vazhdojë bombardimi me lajme të këqija mbi ekonominë, konsumatorët dhe bizneset mund të mos shfaqin dëshirë për të marrë kredi, edhe nëse bankat vendosin ta bëjnë këtë. Një raport i zymtë, i publikuar të premten, vërente se 159 mijë amerikanë kanë ulur standardet e jetesës, gjë që sigurisht i bën të gjithë të tjerët të mendohen dy herë përpara se të shpenzojnë para. E gjitha kjo mund të kthehet në një qerthull pa krye. Nëse konsumatori nuk shpenzon, ekonomia nuk ka si ta marrë veten. Ankthi mund të përshkojë qarkun dhe të rikthehet te tregjet financiare, duke e detyruar qeverinë për një ndërhyrje të dytë. Këto motive bëjnë që shumë ekspertë të mendojnë se plani i shpëtimit 700 miliardë dollarësh mund të mos jetë hapi përfundimtar i qeverisë amerikane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›