Maqedoni, Boshkovski kandidat për president “edhe me votat shqiptare”
Ish-ministri i Brendshëm maqedonas, Lube Boshkovski, i akuzuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë në konfliktin e vitit 2001, ka njoftuar se do të hedhë kandidaturën për president, duke kërkuar madje edhe votat e shqiptarëve. Ish-ministri i Brendshëm i Maqedonisë qëndroi në Hagë deri në vitin 2005. Boshkovski njihet për lidhje të ngushta me kryeministrin aktual, Nikolla Gruevski. Kur u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, Boshkovski u prit në aeroport nga familja e tij dhe kryeministri Gruevski. Ambiciet e tij politike u shfaqën rreth dy muaj pasi ai u kthye nga Haga. Ish-ministri është anëtar i VMRO DPMNE-së së kryeministrit Nikolla Gruevski, por në deklaratën e tij për kandidaturën presidenciale ai ka njoftuar se do të kandidojë për president më vete. Boshkovski ka paralajmëruar madje, se mund të krijojë edhe subjekt politik. “Po hyj në garën presidenciale për shkak se qytetarët e kanë kërkuar një gjë të tillë prej meje”, ka deklaruara i në një intervistë për agjencinë e lajmeve, “Focus”. Ai është prononcuar për BDI-në, partia shqiptare në koalicionin qeveritar e formuar nga njerëz të dalë kryesisht nga ish-UÇK-ja, (kundër së cilës ka luftuar Boshkovski në vitin 2001), ish-ministri tha se ajo tani përfaqëson një faktor politik. Ai u shpreh se rastet e tjera të Hagës, që hetojnë veprimet e UÇK-së dhe që janë kthyer në gjykatat e Maqedonisë, duhet të mbyllen me marrëveshje politike. Boshkovski tha se nuk pajtohet me shumë politika të VMRO DPMNE-së, ndër të cilat edhe për atë për emrin e Maqedonisë, për të cilën mendon se nevojitet një kompromis me Greqinë sa më shpejt.