E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A1, rrezikon të mos shtyhet afati i plotësimit



Rrezikon të mos shtyhet afati për plotësimin e formularëve A1 dhe A1-Z. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se deri pasditen e djeshme nuk ka pasur asnjë kërkesë nga drejtoritë arsimore rajonale për shtyrje të afatit. Dita e djeshme ka qenë afati i fundit i vendosur nga MASH-i për plotësimin dhe dorëzimin e këtyre formularëve. Aktualisht nuk dihet nëse drejtuesit e Ministrisë së Arsimit do të vendosin të shtyjnë më tej afatin për plotësimin e formularit A1, pasi priten raportimet e drejtorive arsimore për ecurinë e këtij procesi. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se nëse drejtoritë arsimore do të kërkojnë disa ditë kohë shtesë mbi afatin për plotësimin e formularit, ekziston mundësia që të shtyhet afati. Por kjo, sipas burimeve nga MASH-i, do të jetë në varësi të raportimeve nga drejtoritë nëse atyre u kanë mbetur sërish formularë të paplotësuar. Megjithëse pjesa më e madhe e maturantëve e kanë dorëzuar formularin A1, midis tyre ka edhe nga ata të rinj që kanë ngurruar ta plotësonin, pasi nuk kanë ditur koeficientet e lëndëve me zgjedhje. Miratimi i këtyre koeficienteve nga MASH-i u bë vetëm pesë ditë para skadimit të afatit të plotësimit të formularit, më konkretisht më datën 5 shkurt. Ditën e djeshme është mbyllur zyrtarisht edhe afati për zëvendësimin e formularit A1. Sipas rregullores së Maturës, zëvendësimi i formularëve mund të pranohet nga Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH) vetëm brenda afatit të dorëzimit të tij (10 mars 2009). Pas këtij afati, nxënësi ose kandidati nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime të tjera. Nëse nuk shtyhet afati për formularin A1, maturantët, që për arsye të ndryshme kanë gabuar në plotësimin e saktë të tij, e nisin skualifikimin për në universitet, pa u nënshtruar provimeve të Maturës. Ky penalizim përcaktohet në rregulloren e Maturës, në të cilën shkruhet se formulari A1 do të konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në rast të kundërt, ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe nxënësi ose kandidati humbet të drejtën e regjistrimit.

Unioni i Paqes i kërkon Bashkisë së Tiranës rrugë pelegrinazhi për Nënë Terezën

Qendra “Rruga e paqes”, pjesë e Unionit të Paqes në Botë, e cila operon në vendin tonë prej më shumë se një viti, në emër të humanizmit dhe nderimit të figurës së Nënë Terezës, i ka propozuar Bashkisë së Tiranës krijimin e një rruge pelegrinazhi në Shqipëri. Kryetarja e Unionit të Paqes për Shqipërinë, Merita Profka, tha se “kemi kohë që punojmë për një projekt, nisma e të cilit është nga kryeqendra e Unionit të Paqes në Romë, i cili synon krijimin e një rruge pelegrinazhi për të gjithë ata që besojnë, e kanë dashur dhe duan Nënë Terezën”. Duke detajuar këtë projekt, Profka u shpreh se, kërkohet një pikë pelegrinazhi në Shqipëri, që të gjithë indianët e Kalkutës, italianët, anglezët, gjermanët, të gjithë ata që kanë prekur shqiptaren Nënë Tereza, duan të kenë një pikë ku të bëjnë pelegrinazh në ditët kur kujtohet kjo zonjë e madhe që i dha aq shumë njerëzimit. Kjo rrugë do të quhet “Rruga e paqes”, ku çdo vizitor vendas apo i huaj do të shkruajë emrin e tij në pllakatet përgjatë kësaj rruge. Profka pohoi se ky projekt ka mbetur në derën e Bashkisë së Tiranës, e cila ende nuk ka dhënë një përgjigje pozitive.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›