Adriano me vonesë, Mourinjo e ndëshkon
Do të mungojnë Adriano dhe Kruz tek Interi, që sot në mbrëmje do të përballet me Fiorentinën. Mourinjo ka vendosur të mos e përfshijë në ekip argjentinasin, pas paraqitjes zhgënjyese të bërë kundër Xhenoas. Gjithashtu, portugezi ka përjashtuar edhe Adrianon, jo për sa ka ndodhur në takimin e të dielës, apo për natën e kaluar deri në orët e vona në një diskotekë milaneze, por për vonesën e bërë në stërvitjen e djeshme. Kështu që braziliani është kthyer në shtëpi. Tekniku zikaltër u ka bërë bisht pyetjeve mbi këtë argument, duke u përgjigjur: "Asnjë koment". Ka pasur një sqarim midis të dyve dhe në fund trajneri ka vendosur ta kthejë në shtëpi sulmuesin brazilian, i cili është larguar nga qendra stërvitore e Interit me makinën e tij. Por problemet e para midis Adrianos dhe Mourinjos duket se e kanë zanafillën në fundin e pjesës së parë kundër Xhenoas, ku më pas ka ardhur edhe zëvendësimi i Adrianos në pjesën e dytë. "Adriano është stërvitur nga ora 9 deri në 10:30", ka qenë komenti i vetëm i Mourinjos, në lidhje me dy të përjashtuarit. Më pas ka folur në përgjithësi, duke thënë: "Unë nuk e kritikoj kurrë ndonjë lojtar që nuk luan mirë, kurrë! Nuk do të ngurroj të mbroj një lojtar që nuk luan mirë, por një lojtar që nuk luan për ekipin është gjë tjetër. Pse duhet ta mbroj? Fëmijët e mi nuk i lë të bëjnë gjithçka që ata dëshirojnë, pse duhet t'ua lejoj këtë lojtarëve të mi? Kam folur personalisht me lojtarët që duhej të flisja, - ka vazhduar portugezi, i cili në përfundim të takimit kundër Xhenoas ishte nevrikosur me Balotelin dhe Obinën, të cilët janë përfshirë rregullisht për ndeshjen e sotme. - Kam folur edhe me grupin. Kam folur me Marion, një nga lojtarët që të dielën duhej të kishte bërë diçka më shumë, nuk ka asnjë problem, absolutisht. Detyra ime është edhe të ndihmoj një lojtar të ri, për t'i kuptuar më mirë gjërat, jam këtu edhe për këtë." Ndërsa mbi ndeshjen kundër Fiorentinës: "Nuk kemi nevojë të tregojmë ndonjë gjë. Jemi të parët në kampionat dhe në Champions, kemi humbur vetëm një ndeshje në gjithë sezonin, - ka thënë ai -. Kemi barazuar ndaj një ekipi që ka menduar edhe për të fituar dhe është përpjekur të shënojë, jo vetëm të mbrojë. Ka përfunduar 0-0 dhe nuk mendoj se kemi diçka për të treguar sot. Tani do të përballemi me një ekip shumë të mirë, që ka një trajner po aq të mirë".