E Diel, 1 Nëntor 2026

Të fortët e klasave

I quajnë Laca. Janë dashuria dhe makthi i mësuesve. Vajzat i adhurojnë. Të dobëtit i shikojnë nga pak si Robin Hudin. Cilët janë të fortët e klasave? Si sillen ata në orën e mësimit? Pse mësuesit i veçojnë dhe shprehin një lloj afeksioni të dyzuar?

Pa Laca, ora e mësimit do të ishte një ferr i vërtetë. Ata janë ëmbëlsia, gallata, lezeti i klasës. Mësuesit, nuk është se i kanë shumë për zemër, por ama nxënësit, vdesin të rrinë sadopak pranë tyre, të flasin si ata, e pse jo të përdorin pak nga zhargoni me të cilin ata shprehen në shoqëri. Pothuaj çdo klasë ka një Lac, ashtu si mund të ketë nxënës qullash apo shumë të mirë në mësime ku kopjojnë të gjithë. Laci në klasë nuk është thjesht një tip problematik, karagjoz për nga natyra, që të bën për të qeshur nga hera. Jo, ai është edhe një mbrojtës për nxënësit më të dobët fizikisht. Nëse dikush guxon të prekë qimen e një nxënësi që, për fat të keq, vuan nga ndonjë cen fizik, Laci që mund të quhet Boli, Kinezi apo edhe Kocka, mund të të thyejë edhe hundët pa të keq. Edhe vetë mësuesit tregohen të kujdesshëm kur përpiqen të komunikojnë me një prototip. Një Lac nuk e ka për gjë të të ofendojë në mes të klasës, sikurse nuk e ka për turp të ta bëjë klasën çorap, për fare pak minuta. Vera Lami, mësuese e lëndës së Biologjisë në shkollën e mesme “Eqrem Çabej” në kryeqytet, thotë se nuk është aspak e lehtë të komunikosh me një nxënës problematik në klasë. Në këtë rast kërkohet shumë takt dhe ndonjëherë edhe nerva të çelikta. “Elementë të tillë ka në çdo klasë. Mund të jenë të rrallë, por ka. Nxënësit problematikë, ne përpiqemi të mos i konsiderojmë thjesht si e keqja e klasës, por si fëmijët tanë, si shokë. Mundohemi të kuptojmë edhe moshën e tyre, faktin që janë adoleshentë”. Një prototip në klasë, nuk vesh kurrë uniformë. Të vishesh me këmishë të bardhë dhe pantallona teritali, është turp. Sapo të të shikonin të pispillosur, shokët do të të vinin në lojë menjëherë. Një Lac nuk mund të marrë kurrë libra me vete, apo më keq të bëjë detyra shtëpie. Në klasë banka e tij e preferuar është gjithmonë ajo e fundit, ashtu sikurse i ka hije. “Me të tillë nxënës kurrë nuk duhet të bërtasësh. Nëse bën një gjë të tillë, atëherë nuk ke bërë gjë tjetër vetëm se i ke vënë shkelmin orës së mësimit. Në rastet kur ne, si mësues kujdestarë, nuk arrijmë të gjejmë gjuhën e përbashkët, atëherë përpiqemi të komunikojmë me prindërit e tyre. Shumë nga nxënësit problematikë transmetojnë në shkollë problemet sociale në familje.” Gjithsesi ka edhe nga ata mësues që i duan. I tolerojnë, u japin dorën, jo se kanë frikë nga ajo çfarë mund t’u ngjasë, por ndjejnë se edhe vetë ora e mësimit nuk do të ishte kurrë e bukur pa pjesëmarrjen e tyre. Ashtu si kanë anë negative me bollëk, Lacat ose të fortët e klasës, kanë edhe anë pozitive. Në të vërtetë, këtij soj nxënësi, nuk është se ia ndjen shumë për mësimet, por ama kur vjen puna për organizimin e aktiviteteve shkollore në do të parë që t’i vendosin gjërat në vijë, këta janë më të gjendshmit në qarkullim. Rezarta Basha, psikologe në shkollën e mesme “Eqrem Cabej”, e shikon këtë element si një anë shumë pozitive të nxënësve problematikë. “Nuk duhet t’i shikojmë gjithmonë të fortët e klasave në aspektin negativ. Dakord, e pranojmë që ata sjellin shqetësim herëpashere te mësuesit, por ama ata kanë edhe një të mirë tjetër, që janë pjesëmarrës në shumë aktivitete. Ne kemi shumë nxënës të mirë, të cilët kur vjen puna për të organizuar një aktivitet shkollor, nuk është se u vjen shumë për dorësh. Por ama po t’u thuash prototipave, apo Lacave nëse do t’i quajmë kështu për të marrë përsipër organizimin e aktiviteteve, ata dinë ta bëjnë këtë punë më mirë se kushdo nxënës tjetër”.

Lacat, tmerri i mësuesveRaporti i Lacave me nxënësit e tjerë në klasë është sa kompleks aq edhe i varur nga rrethanat në të cilën ata kanë krijuar individualitetin e tyre shoqëror. Mësuese Vera, e shikon këtë raport të lidhur ngushtësisht, qoftë me rrethin familjar nga ata vijnë, por edhe me shoqërinë ku ata kalojnë një pjesë të mirë të ditës. “Në përgjithësi, këta individë, e kanë të vështirë të futen në shoqërinë pozitive, le të themi të nxënësve që kanë përgatitje dhe rezultate të mira në shkollë. Gjithmonë ne përpiqemi që këta elementë t’i ingranojmë në orën e mësimit. Po kështu, ne si mësues, mundohemi të jemi shumë të kujdesshëm. Mjafton vetëm një provokim i vogël dhe këta nxënës nuk e kanë për turp të nxjerrin nga goja fjalë shumë të rënda. Që të jemi të kujdesshëm ne mundohemi të gjejmë pikat e dobëta”. Masa më e rëndë disiplinore për një nxënës problematik është nxjerra nga ora e mësimit. Por edhe Lacat kanë frikë. Lëndët në të cilat ata bëjnë më shumë zullum, janë ato shoqërore dhe diku më pak ato ekzakte. Mësuesit e vjetër ua dinë mirë huqet, kurse më të rinjtë e kanë të vështirë të gjejnë gjuhën e komunikimit. Psikologe Rezarta Basha, thotë se rol negativ në formimin e nxënësve problematikë ka edhe familja. Ka prindër, të cilët u rrahin shpatullat fëmijëve duke u thënë që mirë kanë bërë. Ajo i ndan Lacat në tre kategori të ndryshme; në nxënës që e mbajnë veten të fortë dhe që mbrojnë nxënësit e urtë; grindavec që i ngacmon të gjithë dhe të tretët ata që nuk përzihen fare, por kanë krijuar grupin e tyre të të fortëve në shkollë. Këtë vit Lacat duket sikur kanë rënë qetësi. Mungesa e vitit të parë ua ka lehtësuar goxha punën drejtuesve të shkollave. “Nxënësit ndryshojnë nga viti i parë në të katërtin. Ata ndikohen shumë nga familja, nga niveli intelektual që kanë prindërit, rrethi shoqëror, zakonet ku janë rritur, shkolla nga vijnë etj. Shkolla jonë është heterogjene. Dhe këtu ka pasur konflikte midis nxënësve, qoftë meshkuj, qoftë femra “Jo, unë jam nga Veriu, ti je nga Jugu”.

Nxënës ndryshePrototipa në klasë nuk janë vetëm meshkujt. Ndodh që të jenë edhe femrat që në zhargon njihen si Bobe. “Mjafton të gjesh kyçin e problemit. Po të bisedosh me këta nxënës shikon se fillojnë të qetësohen. Mund ta kenë nga mësuesja, nga familja, probleme psikologjike, emocionale si p.sh. dashuria. Janë shumë elementë që ndikojnë. Ka nga ata nxënës që bëjnë zhurmë se duan të jenë në qendër të vëmendjes. Ka nga ata që kanë konflikt me mësuesit dhe duan të prishin orën e mësimit. Ai mund të jetë i qetë, një keqkuptim me mësuesit që e piketon si nxënës problematik, dhe këtu fillon përplasja”. Gjithsesi, psikologia Basha, përpiqet të shikojë anën tjetër të Lacave, atë të mirën, atë që edhe nxënësit e tjerë pëlqejnë tek ta; humorin,shkathtësinë, aftësinë për të interpretuar ndryshe kornizat mësimore.

Çdo të thotë Lac?

Termi Lac gjen përdorim të shpeshtë në lagjet e cilësuara të forta si Allias, Kombinat apo Ali Demi. Nga rrugët ky zhargon ka gjetur shtrirje dalëngadalë në ambientet shkollore duke përkufizuar kësisoj një nxënës ndryshe, tip hokatar që pëlqen të hiqet mbi të tjerët. Lacat dallohen nga të tjerët si nga mënyra e vëshjes ashtu edhe zhargoni që përdorin. Flokët i qethin ballaboks, mbathin pantallona xhins të gjera të zhubrosura ose të grisura, bluzë të hapur të hollë ku të duket toraksi, si edhe aksesorë që përshtaten mirë me karakterin e fortë. Tatuazhi i tyre më i preferuar është ai tribal, kurse unaza ajo me gur të zi mbi krye dhe rreth të bardhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›