E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke miratohet paketa e dyte e kursimeve

Parlamenti grek miratoi pjesën e dytë të paketës së kursimeve, e nevojshme për fondin 12 miliardë euro nga Bashkimi Europian. Votimi i dytë ka të bëjë me ligjet që do të implementojnë kursimet prej 28 miliardë euro dhe që përkthehen në sakrifica të tjera për qytetarët, të cilët vazhdojnë të protestojnë në sheshin qendror të Athinës.

Rritja e taksave, shkurtimi i pagave, privatizimet dhe shkurtimi në sektorin publik u miratuan parimisht të mërkurën, ndërsa implementimi i tyre kaloi me 155 vota pro dhe 136 kundër. “Kemi ende shumë beteja të vështira përpara”, tha Papndreu në një takim me qeverinë pas votimit.

Tashmë, loja kalon në fushën e ministrave të eurozonës, që do të nisin finalizimin e paketës së dytë të ndihmës për Greqinë e cila do të mund të paguajë borxhet e veta deri në 2014-ën. Sipas gjasave, paketa e re e ndihmës do të miratohet gjatë fundjavës.

Ministri grek i Financave, Evanxhelos Venizellos, tha se tashmë mund të shkonte në takimin e eurozonës me një votë besimi dhe dy paketa ligjore të miratuara.

Por, analistët thonë se sfida e vërtetë për Greqinë nis pasi të sigurojë ndihmën financiare, pasi ka dyshime të forta sesi do të zbatohen masat e kursimit përballë një zemërimi dhe armiqësie publike shumë të madhe, që shihet lehtë në rrugët e Athinës.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›