Rekordi i qeverisë, për tre muaj u përgjigjemi 2280 pyetjeve
Nisi dje puna për plotësimin e pyetësorit, 800 nëpunës në proces. Merret eksperienca kroate, 77 nëpunësit e Bregut fillojnë betejën
Albert Gjoka
Qeveria Berisha tenton të thyejë rekordin Guinness. Brenda 90 ditëve është zotuar që të mbushë formularin e Brukselit me 2280 pyetje, me kapacitetet administrative që ka aktualisht vendi ynë, i cili prej disa muajsh përballet me një krizë politike. Që nga dita e djeshme qeveria “Berisha” ka nisur punën që t’u përgjigjet 2280 pyetjeve të Komisionit Europian që janë përfshirë në pyetësor, duke u zotuar se do t’i përfundojë në një periudhë 3-mujore. E vështirë për t’u besuar, megjithëse duhet inkurajuar. Sa më shpejt, më mirë. Duke pasur parasysh edhe eksperiencat e vendeve të tjera që kanë kaluar procese të ngjashme me këtë të tanishmin, ka raste kur janë dhënë përgjigje për një kohë kaq të shkurtër. I tillë ishte ai në Kroaci, ku Grupi Negociator iu përgjigj 4560 pyetjeve në një periudhë 3-mujore, por më pas ekspertët e Komisionit Europian shtuan edhe rreth 180 pyetje të tjera para dhënies së opinionit (Avis). Sikur gjithçka të shkojë vaj dhe sikur të mos kishte krizë politike në vend dhe bojkot të Kuvendit nga institucionet, sikur bota të mos ishte në një krizë ekonomike dhe financiare, sikur Ministria e Integrimit të mos kishte flakur ato dhjetëra e dhjetëra ekspertë që përmes trajnimesh, brenda dhe jashtë vendit, u harxhuan miliona euro, do të kishim më shumë arsye që ta besojmë një “deadline” të tillë. Gjithsesi, meriton inkurajim.
Deklarata
Fill pas dorëzimit të pyetësorit në dorën e kreut të qeverisë shqiptare nga shefi i Zyrës së Komisionit Europian në Tiranë dhe pas konferencës së përbashkët për shtyp që dhanë zoti Berisha dhe zoti Lohan, ministrja e Integrimit, zonja Bregu, deklaroi për gazetarët se pyetësori prej 2280 pyetjesh i Komisionit Europian do të mbushet brenda 31 marsit të vitit 2010. Zyrtarisht, sipas ministres, ekspertët shqiptarë i janë përveshur punës që nga dita e djeshme. Ajo shtoi se qeveria do të bëjë ç'është e mundur që çdo institucion të ketë një periudhë për t'iu përgjigjur pyetjeve me cilësi, por pa zvarritje. “Motoja jonë kryesore gjatë këtij procesi është cilësia dhe vërtetësia. Ky proces do të ketë ritëm dhe nuk do të ketë ngecje. I gjithë pyetësori ka 384 faqe dhe është i ndarë në 33 kapituj. Ndërkohë, ka dy kapituj shtesë, për efekt të pyetësorit; një për kriterin politik dhe një për atë ekonomik”,- tha më tej ministrja Bregu. Për përgjigjet e këtij procesi janë të angazhuara 48 institucione, mbi 800 nëpunës civilë, 58 përkthyes, 27 trajnues ndërkombëtarë. Ministrja tha se janë ngritur 35 grupe pune që funksionojnë pranë institucioneve përkatëse, ndërsa janë trajnuar deri tani 460 nëpunës për një periudhë tremujore.
Modelet
Kur Estonia nisi procesin teknik të anëtarësimit në Bashkimin Europian kishte në dispozicion të paktën 160 ekspertë të fushës së legjislacionit dhe fusha të tjera që lidheshin me procesin. Ndërsa Kroacia, për të realizuar këtë proces, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe bashkë me organizatat e përfshira në rrugën e anëtarësimit të saj në BE, ka të përfshirë mbi 2000 nëpunës dhe ekspertë. Aktualisht, Ministria e Integrimit ka rreth 80 nëpunës. Sikur të shtojmë edhe rreth 190 punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjithsej bëhen 270. Sikur të gjithë këta, ndonëse një pjesë e tyre janë staf administrativ, të merren me punë koordinuese dhe teknike, janë shumë pak. Duke përfshirë edhe nëpunësit e ministrive dhe institucioneve të tjera, të cilët, të gjithë bashkë, arrijnë në 800, - sipas të dhënave zyrtare, - realisht duket një numër i vogël për t’iu përgjigjur në kohë të gjitha kërkesave teknike. Me buxhetin e varfër që jep shteti për Ministrinë e Integrimit dhe me pagat e ulëta që rekrutohen ekspertët në struktura të tilla qeveritare, është tejet e vështirë për të rritur kapacitetet administrative që përfshihen në këtë proces.
Pyetjet e pyetësorit prej 384 faqesh janë të fokusuara tek aspektet politike, ekonomike, ligjore dhe kapacitetet administrative. Por, aspektet politike, çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e demokracisë në vend, janë paralajmëruar qoftë nga Brukseli, por edhe dje nga ambasadori Lohan, si pika të rëndësishme, të cilat duhen kapërcyer. Në momentet e bojkotit të opozitës dhe refuzimit të kërkesave të saj nga ana e maxhorancës vihet në pikëpyetje plotësimi i njërës prej katër shtyllave kryesore.
Me gjithë këto konstatime në terren, “deadline” i qeverisë “Berisha” për të mbushur brenda 3 muajsh formularin gjigant të Komisionit Europian duhet inkurajuar, pasi shqiptarët presin, shpresojnë dhe kërkojnë për të qenë sa më pranë Europës.
TË DHËNA TEKNIKE
2280 pyetje të pyetësorit
384 faqe i gjithë pyetësori
33 kapituj i gjithë pyetësori
3 muaj, afati i përgjigjes
48 institucionet të përfshira
800 nëpunës për përgjigjet
58 përkthyes të përgjigjeve
27 trajnues ndërkombëtarë
35 grupe pune pranë institucioneve
460 nëpunës të trajnuar
RASTI I KROACISË
Nga MSA-ja deri te vendi kandidat për në BE
Kroacia e paraqiti kërkesën për anëtarësimin në BE më 21 shkurt të vitit 2003, në Athinë, vetëm pak kohë pasi ishte ratifikuar Marrëveshja e Stabilizim Asociimit nga vendet anëtare të BE-së. Më 14 prill 2003 kërkesa e Kroacisë u shqyrtua nga Këshilli i Përgjithshëm i BE-së dhe iu kërkua Komisionit që të japë mendimin e tij. Më 10 korrik 2003, Komisioni i dërgoi qeverisë kroate pyetësorin me 4560 pyetje nga fusha të ndryshme në lidhje me funksionimin e shtetit, ekonomisë etj. Qeveria i dha përgjigje pyetësorit për një periudhë 3-mujore dhe iu dorëzuan Komisionit Europian më 9 tetor 2003. Në dhjetor të vitit 2003 dhe në janar të vitit 2004, Komisioni Europian dërgoi edhe 184 pyetje shtesë.
Bazuar në përgjigjet e pyetësorit, si dhe në burimet e tjera (shtetet anëtare, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare), Komisioni Europian dha opinion pozitiv (Avis) për aplikimin e Kroacisë për anëtarësim në BE më 20 prill 2004. Opinioni i Komisionit Europian ishte 126 faqe dhe shqyrtonte me detaje të gjitha pikat e përcaktuara në kushtet e Kopenhagës (kushtet politike, ekonomike, ligjore dhe kapacitetet administrative). Kjo kupton që Komisioni Europian e vlerëson në mënyrë pozitive kapacitetin e Kroacisë për të ecur më tej në drejtim të qëllimit të saj, anëtarësimit në BE përsa i përket aftësive për të realizuar kushtet e anëtarësimit, sipas kushteve të Kopenhagës dhe atyre të Madridit.
Shqipëria, eksperiencë kroate për procesin
Shqipëria ka marrë ekspertë kroatë për të realizuar këtë etapë të procesit të anëtarësimit në BE. Kjo është periudha që ka të bëjë me çështje teknike dhe kërkohen specialistë në fushat përkatëse. Kroacia përmbylli në një periudhë 13-mujore procesin nga firmosja e MSA-së deri në dhënien e Avis nga Komisioni Europian. Duke parë modelin kroat, i gjithë procesi menaxhohet nga këto struktura:
Delegacioni Shtetëror i Negociatave për anëtarësimin në BE, që kryesohet nga ministri i Jashtëm dhe Integrimit Europian; Komiteti i Koordinimit për Negociatat Kroaci-BE; Ekipi Negociator; grupet e punës; Zyra e shefit të Grupit Negociator dhe Sekretariati i Ekipit Negociator. Procesi mbikëqyret nga Komiteti Kombëtar për Monitorimin e Procesit të Anëtarësimit. Kjo është një strukturë parlamentare me deputetë që kontrollojnë procesin.
17 Dhjetor 2009