“Ditët e albanologjisë”, Topalli takon akademikë shqiptarë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, së bashku me autoritete të arkeologjisë, akademikë e përfaqësues të Trupit Diplomatik vizituan ekspozitën “Ditët e albanologjisë”, ku janë shfaqur vëzhgime arkeologjike që nxjerrin në dritë fakte të qytetërimit shqiptar në shekuj. Kryetarja e Kuvendit vizitoi me radhë pavijonet e periudhave historike, duke vlerësuar hulumtimin dhe promovimin e gjurmëve historike, të trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë më të qenësishme të identitetit shqiptar. Shtresimet e antikitetit shqiptar paraqitur në stendat e ekspozitës përmes zbulimeve të shumta arkeologjike, objekte, qeramika, terrakota, apo zbukurime që u përkisnin fiseve ilire, paraardhësve të drejtpërdrejtë të shqiptarëve, shoqëruar edhe me ekspozimin e veshjeve tradicionale të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, risollën në vëmendje përmes kësaj ekspozite, traditën, historinë dhe kulturën e lashtë unike shqiptare.
17 Dhjetor 2009