E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza lindore mund të mbysë eurozonën

Një zyrtar i lartë më tha javën e kaluar se situata aktuale i sjell atij ndër mend krizën e vitit 1992 të mekanizmit të Kursit të Këmbimit Evropian, ku një vend pas tjetrit u bënë viktima të sulmeve spekulative - gjë që solli përjashtimin e Britanisë së Madhe dhe Italisë nga sistemi. Në një bashkim monetar, nuk mund të vësh bast mbi kurset e këmbimit. Por falë problemeve me kreditë, mund të vendosësh bast me leverdi mbi mundësinë e shkatërrimit të eurozonës. Javën e kaluar, spekulantët vunë baste mbi rrënimin e Irlandës dhe këto baste e bënë më të kushtueshme për këtë vend rifinancimin e borxhit, gjë që rrezikon të kthehet në një profeci që vërteton veten.

Por Irlanda nuk është kërcënimi më i madh për eurozonën. Nëse ky vend rrëzohet, eurozona do ta shpëtojë. Edhe vetë gjermanët e pranojnë këtë. Një rrezik shumë më i madh gjendet në Evropën Lindore. Mundësia e një kolapsi financiar atje është çështja më urgjente me të cilën duhet të merret Bashkimi Evropian. Nëse keqmenaxhohet, kjo krizë mund të përçajë eurozonën.

Kriza ka goditur Evropën Qendrore dhe Lindore kaq rëndë, sepse ka pasur dy gabime fatale të kryera në të shkuarën nga qeveritë e tyre: E para qe nxitja e konsumatorëve të merrnin kredi për shtëpi në valutë të huaj, më së shumti në franga zvicerane. Zgjedhja e frangës zvicerane është një dëshmi qesharake e analfabetizmit ekonomik. Unë mund ta kuptoj deri diku kredinë në euro, për shkak se Hungaria një ditë do të bëhet pjesë e eurozonës. Por nuk ka asnjë gjasë që Hungaria të bashkohet me Federatën Zvicerane. Paratë që hungarezët kursyen në interesa të lira të frangës zvicerane, janë humbur sakaq shumëfish nga forcimi i kësaj monedhe.

Gabimi i dytë lidhet gjithashtu me të parin. Vendet e reja anëtare e konsideruan anëtarësimin në eurozonë si një zgjedhje e lirë. Ky është një keqinterpretim i traktateve të anëtarësimit. Kur ata nënshkruan anëtarësimin në BE, pranuan edhe anëtarësimin në Euro. Vetëm Britania dhe Danimarka patën një opsion ligjor të mosanëtarësimit. Natyrisht, si vende të riindustralizuara, lindorët nuk kishin detyrimin për t‘u anëtarësuar menjëherë, por kishin detyrimin që të përgatiteshin për këtë. Nëse ky detyrim do të respektohej, të gjithë lindorët do ishin pjesë e Eurozonës dhe do të ishin të sigurta. Rasti i Sllovakisë dhe Sllovenisë e vërteton këtë. Këto dy gabime sollën krizën aktuale që mund të kthehet në një katastrofë për stabilitetin. Përballë një krize të tillë, askush nuk dëshiron të jetë një ekonomi e vogël e hapur në cep të eurozonës me një monedhë të parëndësishme dhe me shumë kredi për shtëpi në franga zvicerane.

Por lindorët bënë një gjë të saktë. Ato u siguruan që bankat e tyre të vendoseshin nën pronësi të huaj. Bankat austriake janë më aktivet. Ato rrezikojnë një shumë të barabartë me 80% të PBB-së së vet në kreditë që kanë dhënë në Evropën Lindore. Nëse familjet hungareze falimentojnë, nuk do të jetë Hungaria që do të zhytet, por Austria. Italia dhe Suedia janë gjithashtu të ekspozuara. Një krizë në lindje, për pasojë, nuk mund të trajtohet si problemi i dikujt tjetër - sepse nuk është kështu. Ajo është një krizë sistemime që mund të përfshijë të gjithë Eurozonën.

Çfarë opsionesh politike ka? Natyrisht, BE mund të ofrojë ndihmë financiare - përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar - por nuk është e sigurt nëse një masë e tillë do të ndalojë krizën e bilancit të pagesave në rajon. Nëse monedhat e lindjes vijojnë të bien, falimentimet individuale do të rriten. A do na duhet të ndihmojmë edhe këto familje?

Për mua, zgjidhja është adoptimi i euros sa më parë të jetë e mundur. Nuk ka nevojë të shtyhet për nesër. Ajo që ne kemi nevojë, është një axhendë e qartë integrimi në eurozonë. Natyrisht, kjo nënkupton braktisjen e kritereve të anëtarësimit në euro. Mes këtyre kritereve, ai më i pakuptimti është norma e inflacionit. Kjo do t‘i vendosë disa nga vendet e lindjes përballë detyrimit për të ulur çmimet deri në deflacion për të plotësuar kushtet për anëtarësim.

Gjithsesi, nëse katastrofa vjen, BE do të paguajë. Kjo është e lavdërueshme, por nuk e zgjidh problemin, veçanërisht nëse kriza përhapet. Dhënia e ndihmës financiare pa një kushtëzim me anëtarësimin në euro, është një masë e papërgjegjshme. Euroizimi është e vetmja rrugë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›