Kriza, merren masat për kreditë në valutë

Tashmë bankat do të kenë një nivel fiks të përcaktuar nga BSH, rreth kapitalit që do të përdoret në dhënien e kredive në valutë të huaj (euro dhe USD).
Kështu, totali i kredive në valutë (ose të indeksuara) të bankës për kredimarrësit që plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 4 të rregullores “Për administrimin e rrezikut të kredisë”, nuk duhet të kalojë 400 qind për qind të kapitalit rregullator të saj në baza individuale dhe të konsoliduara.
Sipas BSH, çdo shumë që tejkalon këtë kufi, do të zbritet nga kapitali rregullator i bankës për efekt të llogaritjes së raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Konkretisht, neni 4, për të cilin i referohet rregullorja e re përcakton për herë të parë përkufizimin “kredimarrës i ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit”.
Kjo lidhet me ata kredimarrës që përfitojnë kredi në valutë nga banka, duke plotësuar disa kritere të ndryshme. Kështu, kreditor i ekspozuar ndaj riskut do të jenë ata persona që të ardhurat e tyre i kanë në lek (valuta vendase) ose në një monedhe të ndryshme nga monedha e përfitimit të kredisë.
Të ekspozuar ndaj rrezikut do të jenë edhe ata kreditorë që të ardhurat e tyre në valuta mbulojnë më pak se 80 për qind të këstit të kredisë (ose të kredisë në total). Edhe pse pjesa më e madhe e shqiptarëve i marrin pagat e tyre në lek, afro 72 për qind e kredisë jepet në valutë.
Kjo ka sjellë shqetësimin e BSH-së, e cila në jo pak raste i ka kërkuar bankave të nivelit të dytë të jenë sa më transparente ndaj individit, lidhur me efektet e kursit të këmbimit dhe me ndryshimin e normave bazë të interesit për monedhat e huaja, kryesisht euro dhe USD.
“Kërkesat e rregullores së re do të zbatohen nga bankat e nivelit të dytë për kreditë që do të jepen për kredimarrësit e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit” nga fillimi i muajit shtator 2008 dhe në vazhdim”, thuhet në njoftimin e publikuar këto ditë nga Banka e Shqipërisë.
Masa e re vjen në një kohë kur Banka Qendrore mban përgjegjësi për çdo rrezik të mundshëm që mund të vijë nga destabiliteti financiar në vend, si nga kreditë e këqija, ashtu dhe nga mungesa e likuiditetit në treg.