E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon Veltronin, sot flet për drejtësinë institucionale

Presidenti Bamir Topi në ditën e tretë të vizitës së tij në Itali do të mbajë një leksion mbi drejtësinë institucionale në universitetin e Torinos. Ai dje u takua me kryetarin e opozitës italiane, Veltroni dhe me kryetarin e bashkisë së Romës, Alemano. 

TORINO- Në universitetin e Torinos, Presidenti Bamir Topi mban sot pasdite një leksion mbi drejtësinë institucionale. Ky leksion mbahet në ditën e tretë të vizitës së Topit në Itali. Ai dje u takua me kryetarin e opozitës italiane, Veltroni dhe me kryetarin e bashkisë së Romës, Alemano. Në takimin me Veltronin, Topi bëri një përshkrim të reformave themelore, si reforma në drejtësi, ajo zgjedhore, ekonomike, etj. Presidenti vuri në dukje arritjet dhe sukseset e Shqipërisë, duke shprehur njëkohësisht edhe vlerësimet e falenderimet për përkrahjen e vazhdueshme të Italisë në mbështetje të vendit tonë për integrimin e plotë në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Europian. Veltroni nga ana e tij u shpreh se vizita e Presidentit Topi në Itali dëshmon më së miri nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe lidhjet e ngushta e të gjithanshme mes dy vendeve tona. Në takim u diskutua edhe për krizën financiare globale si dhe efektet që ajo mund të sjellë për ekonomitë e vendeve tona dhe masat e marra për parandalimin e përhapjes dhe thellimit të kësaj krize. Në këtë pikë, Presidenti Topi vuri në pah klimën e mirë ekonomike në Shqipëri dhe kushtet e favorshme që ajo ofron për investitorët e huaj dhe sidomos ata italianë. Në takimin me kryetarin e bashkisë së Romës, Topi e ftoi këtë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilin ai e priti me shumë kënaqësi. Topi la një shënim mirënjohjeje për mikpritjen e rezervuar në kryeqytetin e vendit fqinj në librin e përshtypjeve të Bashkisë romane.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›