E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kunati i Lul Bashës padit prokurorinë për pronat

Kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha padit në gjykatë prokurorinë e Tiranës, për urdhrin e bllokimit të pasurive. Erion Isufi, i përfolur si një nga bashkëpunëtorët e serbo-boshnjakut Damir Fazliç, kërkon shfuqizimin e vendimit. Prokuroria merr në pyetje kryekomisarin e Rinasit. 

TIRANE- Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ka paditur prokurorinë e Tiranës, e cila ka lëshuar urdhrin për bllokimin e pasurive të tij.

Isufi që është përfolur si një nga bashkëpunëtorët e serbo-boshnjakut Damir Fazliç, i dyshuar për pastrim parash në Shqipëri, pretendon se bllokimi i pasurive të tij është i kundraligjshëm dhe për pasojë duhet të shfuqizohet.

Shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Sokol Tona, për të shqyrtuar kërkesë-padinë civile të Isufit, që në të paktën tri kompani të Damir Fazliç, ka mbajtur për pak kohë postin e administratorit. Urdhri për bllokimin e pasurive të Isufit u firmos pak ditë më parë nga dy prokurorët që po hetojnë rreth veprimtarisë së Fazliç.

Prokuroria vendosi bllokimin e aseteve të dy kompanive në emër të Isufit, “Reno Albania” dhe “SRF Devolopment”. Gjithashtu janë ngrirë dhe llogaritë bankare të kompanisë “Global Construction” sh.a dhe asetet e kompanisë “Megatek” sh.a., ku Erion Isufi rezulton të jetë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Të dyja këto shoqëri anonime janë themeluar përkatësisht në vitin 2006 dhe 2007.

Prokuroria deklaroi se bllokimi i pasurive të Isufit është bërë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj Fazliç, por nuk është përfundimtar. Pasi të bëhen verifikimet e mundshme dhe nëse rezulton se Isufi nuk ka pasur asnjë lidhje me serbo-boshnjakun, urdhri shfuqizohet.

Nga ana tjetër, Kryekomisari Urim Rexhepi ka pranuar në prokurori se e ka shoqëruar në aeroport serbo-boshnjakun Damir Fazliç. Ai ka mohuar të ketë pasur ndonjë urdhër për ta shoqëruar biznesmenin. Ndërkaq, para prokurorëve ka shpjeguar me detaje momentin e mbërritjes dhe të largimit nga Shqipëria të Fazliç. Rexhepi ka dhënë detaje për personat që e shoqëronin serbo-boshnjakun, orarin e mbërritjes, personat që e prisnin, si dhe ka pranuar se biznesmeni është larguar nga Shqipëria një orë para orarit të përcaktuar. Në lidhje me këtë të fundit, Rexhepi është shprehur se nuk është kompetencë e tij. Kryekomisari Rexhepi po hetohet për pengim të prokurorisë në hetimet ndaj Fazliç. Policia e Rinasit pengoi prokurorinë që t’i komunikonte biznesmenit ftesën për paraqitje, për të dhënë shpjegime për akuzat e shumta që janë hedhur në drejtim të tij.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›