"Përgjimet", biznesi: Kemi dyshime tona

Tashmë, sikundër është bërë publike pak ditë më parë, ligji “Për përgjimet” i jep të drejtën edhe Ministrisë së Financave që t’i kërkojë strukturave të posaçme marrjen në përgjim të atyre subjekteve, ku ministria dyshon se po kryejnë aktivitete të adezionit fiskal.
I miratuar javën e kaluar në mbledhjen e radhës të qeverisë, neni 6 i ligjit ndryshon si pas fjalëve “… Ministrisë së Mbrojtjes…” të shtohen “… ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore,...”.
Një pjesë e bizneseve në vend e shikojnë me dyshim ligjin, duke u nisur nga fakti se mund të përdoret në mënyra selektive.
Vetë ndërtuesit shprehen se nuk janë njohur me ligjin, por, nga ana tjetër, shprehin një lloj habie për ekzistencën e tij.
Ndërsa Dhoma e Tregtisë Tiranë shprehet se ky ligj lufton fenomenin e evazionit fiskal, i cili zhvillohet nga ato biznese që nuk duan të paguajnë detyrimet ndaj shtetit.
Më të kujdesur në komente janë treguar drejtuesit e “Konfindustrias”. Një prej tyre, administratori i Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, u shpreh se “nuk ka asgjë të keqe në ligj, gjithnjë nëse zbatimi i tij do të respektojë hallkat ligjore”.
Sipas Buxhukut, nëse ligji do të jetë në dorë vetëm të ministrit të Financave, atëherë përdorimi i tij mund të jetë abuziv. Nga ana e tyre, opozitarët e majtë deklaruan se në këtë formë cenohet rëndë pavarësia e përgjimeve dhe komprometohet si proces.
Ligji që u votua më 3 mars në Kuvend pa pëlqimin e opozitës dhe që u dekretua nga Presidenti Bamir Topi, modifikoi fillestarin në 10 nene.
Opozita ka deklaruar se me ligjin e ri, qeveria shtoi numrin e institucioneve të cilat kanë të drejtë të bëjnë përgjime, siç është Ministria e Brendshme, e cila i merr kompetencat institucionit të Prokurorisë dhe SHISH-it.
Ky pretendim është kundërshtuar nga ministrat e kabinetit qeverisës dhe nga deputetët e mazhorancës. Sipas tyre, projektligji nuk sjell ndonjë ndryshim të madh në thelb, ndaj debatet që po bëhen, janë të paargumentuara.
Ndryshimet
Sipas ligjit të vjetër, neni 6 sqaronte se, organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit ishin (dhe janë) Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore.
Tani, neni ndryshon dhe merr formën si, pas fjalëve “… Ministrisë së Mbrojtjes…” të shtohen “… ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore,...” për sa i përket nenit 8, më parë thuhej se, “Dhënia e së drejtës për përgjim i jepej Prokurorit të Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Rendit Publik, ministrit të Mbrojtjes ose ministrit të Drejtësisë, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit”.
Ndërsa tani bëhet, pas fjalëve “... ministrit të Drejtësisë...” të shtohen “...ministrit, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore,...”