E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni miraton ligjin e ri, burg kush mohon diktaturën

Komisioni i Ligjeve miratoi me konsensus ndryshimet në Kodin Penal. Mes ndryshimeve, parashikohet dënimi me burg nga 3- 6 vjet për të gjithë ata që mohojnë krimet kundër njerëzimit, dhe ato të komunizmit. Miratimi një ditë para 100 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës. 

TIRANE- Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi dje me konsensus nismën e qeverisë që kërkon dënimin me burg nga tre deri në gjashtë vjet për të gjithë ata që mohojnë krimet kundër njerëzimit, përfshi edhe ato të kryera nga komunizmi. Drafti morri “OK”-in e deputetëve të majtë e të djathtë një ditë para se familjarë e nostalgjikët e komunizmit po bëheshin gati të kremtonin 100 vjetorin e lindjes së diktatorit, Enver Hoxha. Drafti parashikon një ndryshim në Kodin Penal ku propozohet konkretisht që “ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme e publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve, që mohojnë, minimizojnë, në mënyrë të njëanshme, miratojnë ose justifikojnë akte, që përbëjnë genocid ose krim kundër njerëzimit, dënohet me burgim tre deri në gjashtë vjet”. Qeveria me anë të kësaj dispozite, sikundër shprehet në relacionin shpjegues, synon “të ndëshkojë mbrojtësit e personave dhe të ngjarjeve historike, që kanë të bëjnë me krime kundër njerëzimit, duke injoruar sakrificën, vuajtjen dhe kujtimin e njerëzve që ishin objekt i krimeve”.
Ksenofobia
Shpërndarja e materialeve raciste dhe ksenofobie përmes kompjuterit përbëjnë një tjetër kategori veprash penale të dënueshme sipas ndryshimeve të reja. Gjobë ose burgim deri në dy vjet është dënimi që propozim ekzekutivi për konsumimin e kësaj vepre të përcaktuar tanimë si krim. Ndërsa kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, që i bëhet një personi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fesë propozohet të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Përgjimi
Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike i të dhënave kompjuterike përbën vepër penale sipas ndryshimeve që qeveria ka propozuar për Kodin Penal dhe dënohet me burgim 3 deri në 7 vjet. Në rastin kur kemi të bëjmë me sisteme kompjuterike ushtarake, që lidhet me sigurinë kombëtare, të rendit publik, kjo masë dënimi është e lartë dhe shkon minimalisht 7 vjet dhe maksimalisht 15 vjet.
Mashtrimi
Mashtrimi përmes sistemit kompjuterik për përfitime ekonomike të padrejta dhe për t’i shkaktuar një tjetri pakësimin e pasurisë, dënohet me burim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet. Kjo formë dënimi shoqërohet edhe me një masë administrative gjobë nga 60 mijë deri në 600 mijë lekë. Kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet dhe me gjobë nga 500 mijë deri në 5 milionë lekë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›