E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi, 73.4% pro grave në politikë

 

Një sondazh i UNIFEM në bashkëpunim me Konsorcium 2A, i përbërë nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike dhe Forumi Shqiptar Social-Ekonomik tregon se 73.4 për qind e 1200 të intervistuarve në 10 zona të vendit janë pro pjesëmarrjes së grave në jetën publike të vendit. Vrojtimi, që vëzhgon perceptimet e njerëzve për gratë si votuese, kandidate dhe udhëheqëse, konkludon në kërkesën për një rritje të angazhimit të grave në jetën e vendit. Nisur nga ky sondazh UNIFEM-i dhe UNICEF-i, nën Programin e Përbashkët të OKB-së për Barazinë Gjinore, organizuan dje një debat me pjesëmarrës të Kuvendit të Shqipërisë, Parlamentarët Rinorë nga i gjithë vendi dhe Kombet e Bashkuara. Debati u drejtua nga kryetarja e nën-komisionit parlamentar për Çështjet e Minorenëve dhe Barazinë Gjinore, Lajla Përnaska dhe nënkryetari Blendi Klosi. Anëtarët e Kuvendit ndanë me të rinjtë mendime për realitetet dhe sfidat që hasin gratë që kandidojnë në zgjedhje, dhe gjithashtu mundësitë që iu janë dhënë gjatë viteve të fundit. Blendi Klosi theksoi rëndësinë e rritjes së qasjes së grave jo vetëm në politikë, por në të gjitha aspektet e jetës publike, në mënyrë që të sigurojnë që zërat e tyre të dëgjohen dhe të plotësohen nevojat e tyre. Lajla Përnaska theksoi se kuota e miratuar rishtazi nuk duhet të merret si një “dhuratë” nga politikanët meshkuj, siç është cekur nga disa pjesëmarrës në vrojtim, por më tepër si një masë e nevojshme për Shqipërinë për të tejkaluar pengesat sistematike dhe shoqërore që kufizojnë përfshirjen e grave në vendimmarrje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›