Presidenti: Qytetarët të aplikojnë për kartën
Presidenti Bamir Topi ka aplikuar dje së bashku me familjen pranë njësisë 9 për t’u pajisur me kartën e re të identitetit. Kreu i shtetit u paraqit në zyrën e gjendjes civile në orën 10:30 dhe pas aplikimit u takua me krerët e dy njësive, Armond Halebin dhe Arben Tafajn. Në prononcimin e tij për mediat, Presidenti Topi u ka bërë apel qytetarëve që të aplikojnë për marrjen e dokumentit të ri. “Të jesh i identifikuar, të kesh kartën e identitetit, sigurisht një kartë me parametrat më të larta teknologjike, një kartë, e cila pranohet nga standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, do të thotë që të kesh mundësi të mëdha për të ushtruar të gjitha të drejtat në administratën publike, nëpër ambasada, nëpër universitete, kështu që njerëzit duhet patjetër të aplikojnë! Të aplikojnë shpejt, sepse mesa shikoj aksesi dhe teknologjia është e tillë, që u jep mundësinë të gjithë qytetarëve të pajisen!”, theksoi Topi. I pyetur për mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së qytetarëve me dokumentin që do u mundësojë pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 qershorit, kreu i shtetit tha se akoma ka mundësi që njerëzit të shkojnë për të aplikuar. “Unë mendoj që nuk duhet të vijë mbi bazën e një detyrimi. Të largohemi nga kjo lloj psikologjie e së kaluarës, por duhet të vijë si një nevojë e domosdoshme dhe e vullnetshme e vetë qytetarit! Nuk ka gjë më të rëndësishme që çdo qytetar ta ndiejë veten serioz dhe të identifikuar”, vijoi më tej Topi.