E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu firmos me Lohan, KE jep 60 milionë euro

 

Shqipëria do të përfitojë një fond prej 60.9 milionë euro në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit IPA. Marrëveshja u firmos dje nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan. Mbështetja financiare për 24 projektet e programit do të konsistojë në mbështetje për përmbushjen e kërkesave politike dhe atyre social-ekonomike, mbështetje në rritjen e aftësisë për të përballuar detyrimet e anëtarësimit, si dhe mbështetje për pjesëmarrjen në Programet Komunitare. “Nga këto 19 milionë euro nga buxheti total, do të mbështesë kryesisht reformën aktuale të administratës publike, nëpërmjet mbështetjes për DAP-in, si dhe me qëllim përmirësimin e kapaciteteve administrative të Shqipërisë, do t’u jepet asistencë për menaxhimin e procesit të zbatimit të MSA-së strukturave të koordinimit të përgjithshëm, si Ministrisë së Integrimit Evropian, Këshillit të Ministrave dhe Ministrive të Linjës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Integrimit. 22 milionë euro prej buxhetit total i dedikohet vazhdimit të mbështetjes për reformat strukturore në vend, nëpërmjet aktiviteteve për zhvillimin rajonal, si dhe mbështetjes për përmirësimin e menaxhimit dhe kushteve e rrugëve sekondare dhe lokale, për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Arsimin, duke i kushtuar vëmendje të veçantë në forcimin e shkollave të Formimit Profesional. Ndërkohë 24 milionë euro shkojnë për përmirësimin e aftësive të kapaciteteve administrative dhe respektimin e kërkesave të MSA-së në lidhje me të drejtën e autorit, metrologjinë, konkurrencën, ndihmën mjekësore dhe aviacionin civil.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›