Berisha: Aplikimi për në BE brenda qershorit
Shqipëria është e vendosur të aplikojë brenda presidencës çeke për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Brukselit për të mos u nxituar në këtë drejtim, Tirana zyrtare duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Këtë e konfirmoi sërish Kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste për agjencinë franceze të lajmeve AFP. “Shqipëria parashikon të paraqesë kandidaturën për në BE deri në fund të qershorit, edhe pse kriza ekonomike dhe të panjohurat rreth ratifikimit të traktatit të Lisbonës nuk janë të favorshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, deklaroi kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Shqipëria mori dritën jeshile “në parim” nga presidenca çeke e Bashkimit Evropian për gjashtëmujorin e parë të vitit, për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit, por asnjë datë nuk është caktuar ende, shtoi kryeministri gjatë një interviste dhënë AFP-së në frëngjisht. “Ramë dakord për të paraqitur kërkesën”, shtoi Berisha. Paraqitja e kandidaturës është vetëm hapi i parë drejt sigurimit të statusit të vendit kandidat, që mund të zgjasë shumë dhe që sigurisht kërkon miratimin e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Opozita e majtë shqiptare e ka kapur këtë argument, duke këmbëngulur në paraqitjen e kandidaturës pas zgjedhjeve legjislative. Një paraqitje e tillë rrezikon, sipas saj, të mbetet pa efekt për shumë kohë. Berisha e ka pranuar se kriza aktuale, e karakterizuar nga rritja e papunësisë, mund “të krijojë një ndjenjë ngurrimi” tek evropianët. Një ngadalësim i vrullit të zgjerimit “rrezikon të shkurajojë opinionin publik”, që në Shqipëri është shprehur në shumicën dërrmuese për anëtarësimin në BE, theksoi kryeministri, drejtuar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ai shprehu besimin se BE-ja do të dijë të vlerësojë “përpjekjet tona”, veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2005, “ky vend mbizotërohej nga krimi i organizuar. Qytete, fshatra, rrethe të tëra ishin një lloj protektorati i krimit të organizuar. Ky i fundit kontrollonte doganat, pikat e kalimit kufitar, portet”, theksoi ai. Sot, më tepër se një mijë kriminelë, që fshiheshin “jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hotelet me pesë yje në metropolet evropiane” i janë dërguar drejtësisë, shtoi Berisha, duke premtuar një “tolerancë zero” kundër krimit të organizuar.