E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza në Eurozonë, Shqipëria rrezikohet

TIRANE- Kriza financiare që po përjeton vendi fqinj, Greqia, ndikon edhe në zhvillimin social-ekonomik të vendit tonë. Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë gjenden në Greqi dhe të ardhurat prej tyre nga viti në vit kanë shënuar ulje. Rritja e papunësisë në Greqi ka bërë gjithashtu që, një pjesë e emigrantëve të kthehen në atdhe. Investimet greke në Shqipëri janë tkurrur në mënyrë drastike.

Gjatë një leksioni publik të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, studiuesi i ekonomisë Jens Bastian tha dje se kriza greke do të ndikojë në ngadalësimin e ritmeve të rritjes ekonomike shqiptare, si dhe procesin e integrimit në BE.

“Shqipëria është i vetmi vend në rajon që shënoi rritje me 3.5% në 3-mujorin e parë të këtij viti. Megjithatë, po shfaqen shenjat e para të ndikimit negativ në ekonominë e vendit për shkak të krizës greke. Në Greqi është rritur ndjeshëm papunësia, shumë emigrantë kanë ngelur të papunë dhe ata po kthehen në atdhe, ose po emigrojnë në vende të tjera në kërkim të punës. Janë ulur ndjeshëm të ardhurat nga remitancat dhe kjo rënie do të vazhdojë nëse kriza greke s’merr një zgjidhje të shpejtë. Bankat greke në Shqipëri po japin më pak subvencione për zhvillimin ekonomik dhe investimet greke janë bërë thuajse inekzistente. Shqipëria dhe rajoni konsiderohen të dobëta në tregjet e kapitalit dhe kjo ka sjellë një ulje të investimeve të huaja, si dhe zhvlerësim të monedhës vendase”, - u shpreh Bastian.

Dekania e fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Evropian të Tiranës, Luljeta Minxhozi, tha se qeveritarët shqiptarë duhet të mësojnë nga gabimet e Greqisë dhe të tregohen më të kujdesshëm në politikat makroekonomike, duke e mbajtur borxhin publik poshtë nivelit 60% të PBB-së. Por, problem duket se nuk është vetëm situata në Greqi. “Shqetësimi kryesor është se, nëse kjo krizë nuk do të zgjidhet shpejt, Shqipëria rrezikon të ndrydhet mes dy vendeve fqinjë, që janë përfshirë nga kriza e borxheve sovrane, Greqisë në jug dhe Italisë në perëndim”, - tha Jens Bastian.

“Borxhi i madh i Greqisë, stanjacioni afatgjatë në këtë vend do të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike në gjithë rajonin dhe posaçërisht në ekonominë tonë. Pra, Shqipëria mbetet një nga vendet më të prekura nga kriza greke. Kjo krizë është padyshim një pengesë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit në BE”, - shtoi nga ana e tij dr. Zef Preçi.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›