Kriza në Greqi, BE-ja zhvillon samit të jashtëzakonshëm
Blerina Olldashi
Kriza financiare e Greqisë ka mbledhur në një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel, vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat i premtuan këtij vendi ndihmë dhe mbështetje politike. Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Han Rompuy, bëri të ditur se përkohësisht Greqisë nuk do t’i jepet ndihmë financiare, pasi Athina nuk ka kërkuar ndihmë financiare. Qeveria e Athinës ka rreth 300 miliardë euro borxhe, të cilat rëndojnë kursin e këmbimit të euros. Kryeministri grek Jorgos Papandreu prezantoi në këtë takim masat shtesë të planifikuara nga qeveria e tij, për të shmangur me forcat e veta falimentimin e shtetit. BE-ja dhe Komisioni Europian i mbështesin plotësisht këto objektiva ambicioz, tha Van Rompuy: “Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e qeverisë greke dhe angazhimin e saj për të bërë ç’është e mundur, përfshirë edhe zbatimin e masave shtesë, për të siguruar arritjen e objektivave ambicioze të programit të stabilitetit për vitin 2010 dhe vitet në vazhdim. Ne i bëjmë thirrje qeverisë greke të zbatojë të gjitha këto masa në mënyrë rigoroze dhe të vendosur, për të reduktuar me efektivitet deficitin buxhetor në masën 4 për qind brenda vitit 2010. Vlerësimi i parë për zbatimin e masave do të bëhet në mars. Para takimit kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu gatishmërinë e vendeve të BE-së për të ndihmuar Greqinë: “Greqia është pjesë e BE-së dhe nuk do ta lëmë vetëm, por ka rregulla dhe këto rregulla duhen respektuar”.
Greva
Në Greqi ndërkohë të mërkurën punonjësit e sektorit publik zhvilluan një grevë kombëtare ndaj planeve të qeverisë për shkurtime, duke shkaktuar ndërpreje të mëdha të punës në sektorin publik. Në këto greva morën pjesë rreth gjysmë milioni punonjës të sektorit publik, por në kryeqytetin e vendit demonstruan më pak se dhjetë mijë vetë. Pjesëmarrja e ulët interpretohet si një tregues se punonjësit e sektorit shtetëror e pranojnë se shkurtimet janë të domosdoshme. Kryeministri grek, Jorgos Papandreu ka thënë se shpresonte për një përkrahje të rëndësishme politike nga udhëheqësit e BE-së në Bruksel. Greva erdhi si pasojë e planeve të qeverisë për shkurtimin e pagave të nëpunësve si dhe uljen e pensioneve dhe rritjen e moshës, për të kursyer sa më shumë në këtë peridhë krize.
Rreziku
Kriza financiare e Greqisë mund të bëhet rrezik edhe për zonën euro dhe për këtë duhet të merren masa parandaluese. Ekziston frika se kjo krizë mund të zgjerohet në vende si: Spanja, Portugalia dhe Irlanda të cilat përdorin si monedhë të vetme euron. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, u kërkoi të gjitha vendeve anëtare të BE-së, të jenë të gatshme të ruajnë stabilitetin financiar, kërcënuar nga kriza financiare greke. Para takimit me presidentin e BE-së dhe me atë të Eurogrupit, Zhan-Klaud Juncker, para samitit me drejtuesit europianë, ai u shpreh në mbështetje të një politike për Greqinë. Zgjidhja sipas krerëve të BE-së duhet të përmbajë dy elemente:
Greqia duhet të jetë e gatshme për të bërë çdo gjë që është e nevojshme, duke përfshirë dhe masa shtesë për të garantuar arritjen e objektivave për reduktimin e deficitit të saj gjatë këtij viti.
Iran
Ahmadinexhad paralajmëron: “Jemi shtet bërthamor”
Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad tha se vendi i tij ka prodhuar paketën e parë të uraniumit të pasuurar në shkallën 20 për qind. Duke folur para mijëra iranianëve gjatë një tubimi me rastin e përvjetorit të Revolucionit Islamik, ai tha se Irani tash është “shtet bërthamor”. Uraniumi i pasuruar prodhon karburant për reaktor bërthamor, por mund të përdoret edhe për të krijuar material për armë bërthamore. Bashkësia ndërkombëtare e ka paralajmëruar Iranin kundër aktiviteteve të mëtejme të pasurimit të uraniumit, duke u kërcënuar me sanksione të reja të Kombeve të Bashkuara. Irani këmbëngul se programi bërthamor i tij është paqësor. Ndërkaq SHBA-të kanë zgjeruar sanksionet ndaj Iranit, për shkak të konfliktit rreth programit atomik. Qeveria amerikane ka vendosur masa ndëshkuese ekonomike ndaj katër sipërmarrjeve të koncernit të ndërtimtarisë Chatam al-Anbija, i cili udhëhiqet nga garda e revolucionit. Në këtë mënyrë, ashpërsohen edhe më tej masat ndaj trupave elite të Republikës Islamike dhe sipërmarrjeve të saja kryesore. Firmat amerikane nuk guxojnë të futen në bashkëpunim me sipërmarrjet e koncernit Chatam al-Anbija. Pasuritë e këtyre sipërmarrjeve në SHBA do të ngrihen. Koncerni Chatam al-Anbija, sipas të dhënave amerikane, merret me ndërtimin e autostradave, tuneleve, naftësjellësve dhe ujësjellësve.
Serbi
Fillon punimet ambasada e re amerikane
Në Serbi kanë filluar punimet për të ndërtuar ambasadën e re amerikane, që do të zëvendësojë godinën që u dëmtua nga protestuesit para dy vjetësh. Ambasada e re po ndërtohet në Dedinje, një rrethinë luksoze pranë Beogradit. Gjatë ceremonisë për hedhjen e themeleve, ambasadorja amerikane në Serbi Meri Varlik tha se ambasada do të jetë simbol i angazhimit amerikan për Serbinë. Ndërtesa e re do të kushtojë mbi 100 milionë dollarë dhe parashikohet që mbi 500 punonjës vendas të punësohen për ndërtimin. Departamenti i Shtetit parashikon që ndërtimi i ambasadës të përfundojë deri në vitin 2012.
Ukrainë
Timoshenko kritikon Janukoviçin
Kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko kritikoi ashpër rivalin e saj politik në shfaqjen e saj të parë publike, që kur humbi në garën zgjedhore me të, në votimet presidenciale të së dielës. Zonja Timoshenko tha se kandidati rival Viktor Janukoviç dhe partia e tij bënë premtime të rreme gjatë zgjedhjeve. Ajo nuk foli për humbjen në zgjedhje por një këshilltar i saj i lartë u tha gazetarëve se ajo nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen. Zoti Janukoviç i ka bërë thirrje zonjës Timoshenko që të tërhiqet, duke thënë se vendit nuk i duhet një tjetër krizë politike. Sipas rezultateve Janukoviç fitoi ndaj zonjës Timoshenko me një diferecë prej 3.5 për qind.
12 Shkurt 2010