E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza në Itali, familjarët e emigrantëve shqiptarë do të përfitojnë bonus financiar

Mbi 500 mijë emigrantë shqiptarë dhe familjet e tyre, përfitues. Të ardhurat i përfitojnë edhe familjarët që jetojnë në Shqipëri

Ervin KOÇI

Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali do të jenë pjesë e skemës sociale “antikrizë”, që do të vihet në zbatim nga qeveria italiane dhe që synon, përveç të tjerash, edhe dhënien e një trajtimi financiar (bonos) për shtetasit. Trajtimi financiar do të jepet nga shteti për të gjithë qytetarët italianë që janë në marrëdhënie pune, për pensionistët dhe të gjitha shtresat në nevojë, por edhe për emigrantët që janë me dokumente të rregullta. Vlera e kësaj pagese mujore do të variojë nga 200-1000 euro në muaj për familje dhe pjesë e tij do të jenë edhe 500 mijë emigrantë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali, por edhe familjarët e tyre që jetojnë në Shqipëri. Bonusin familjar në Itali mund ta përfitojnë edhe ata shqiptarë që jetojnë në atdhe, por që dokumentojnë lidhjet me kërkuesin e tij (emigrantin e rregullt), që jeton në vendin fqinj. Pra, nëse një emigrant shqiptar me dokumente të rregullta përfiton nga bonusi familjar në Itali, edhe nëse familjarët e tij si bashkëshortja apo prindërit që ka në ngarkim janë në Shqipëri, sërish kjo shumë mujore përfitohet.

Vendimi

Ky saktësim vjen nga "Agjencia e të Ardhurave", por sidoqoftë duhet provuar se familjarët janë në ngarkim të kërkuesit të bonusit. Duke cituar kanalet zyrtare italiane konfirmohet se: “Në përllogaritjet për përfitimin e bonusit familjar, përsa u takon ‘numrave’ duhen marrë parasysh edhe familjarët që ndodhen në vendet e origjinës”. Kjo shpjegohet nga një qarkore e "Agjencisë së Hyrjeve" lidhur me kontributet e përcaktuara nga dekreti antikrizë për vatrat familjare më të varfra. "Për të përfituar nga bonusi është e domosdoshme që kërkuesi të jetë rezident në Itali", - kujton agjencia. Ndërkohë që në qarkore theksohet se, "për pjesëtarët e tjerë të vatrës familjare të kërkuesit (bashkëshort/e jo të ndarë, të mitur në ngarkim dhe pjesëtarë të tjerë në ngarkim), përkundrazi nuk kërkohet qëndrimi në territorin e shtetit italian".

Specialistët

Specialistët sqarojnë se bonusi mund të kërkohet nga punëmarrësit dhe pensionistët dhe përbëhet nga një shumë që luhatet në varësi të të ardhurave familjare të realizuara dhe numri i pjesëtarëve të familjes. “Kjo ndihmë varion nga 200-1000 euro për përfituesit. Nga kjo skemë ndihme antikrizë përjashtohen të vetëpunësuarit ose sipërmarrësit e vegjël. Ndërsa për të provuar se familjarët jashtë Italisë kanë mbetur në ngarkim, mund të përdoret dokumentacioni origjinal, i lëshuar nga konsullatat përkatëse, me përkthim në gjuhën italiane dhe me certifikim të prefekturës, ose dokumentacion i lëshuar në vendin e origjinës, i përkthyer në gjuhën italiane dhe i certifikuar si i njëjti me origjinalin nga konsullata italiane. Ekspertët e emigracionit bëjnë të ditur se, “punëmarrësit duhet t‘ia paraqesin kërkesën punëdhënësit të tyre, ndërsa punëtorët shtëpiakë, si bashkëpunëtorët familjarë dhe ofruesit e shërbimeve të përkujdesjes, këtë kërkesë e paraqesin pranë sporteleve të ‘Agjencive të Hyrjeve’”. Pensionistët dhe të papunët, përkundrazi, duhet t‘i drejtohen INPS-së (Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore). Paratë do të vijnë pas një muaji, drejtpërdrejt në listëpagesa apo edhe me pensionin. Punëdhënësit do të rimbursohen nga shteti italian.

Ku aplikohet për bonusin familjar

Modulet dhe udhëzimet përkatëse për të gjithë të interesuarit sugjerohet që të shkarkohen nga faqja e internetit: “www.agenziaentrate.it”, megjithatë saktësohet se do të ishte me vend që çdo emigrant shqiptar, i cili pas llogaritjeve paraprake të të ardhurave të tij në total mendon se mund ta përfitojë këtë bonos, duhet t‘i drejtohet një organizate punëdhënësish për të marrë informacione dhe asistencë falas. Gjithashtu janë përcaktuar edhe afatet për paraqitjen e kërkesës. Ato luhaten në bazë të atij që paraqet kërkesën dhe gjatë cilit vit mund të merret në shqyrtim për përllogaritjen e të ardhurave, pa harruar edhe pjesëtarët e vatrës familjare. Punëmarrësit që duhet ta paraqesin kërkesën te punëdhënësi dhe pensionistët pranë institutit të sigurimeve domosdoshmërisht duhet të aplikonin brenda 28 shkurtit 2009, nëse do të shqyrtohet viti 2007; brenda 31 marsit 2009, nëse shqyrtohet viti 2008. Po ashtu, për punëtorët shtëpiakë, që kërkesën duhet ta dorëzojnë tek "Agjencia e Hyrjeve", aplikimi nis brenda 30 prillit 2009, nëse shqyrtohet viti 2007; brenda 30 qershorit, nëse shqyrtohet viti 2008 për subjektet që përjashtohen nga detyrimi i paraqitjes së deklaratave të të ardhurave.

Tipologjia e familjes Të ardhurat tot. Bonusi

Pensionist i vetëm 15 mijë euro 200 euro

Familje me 2 persona 17 mijë euro 300 euro

Familje me 3 persona 17 mijë euro 400 euro

Familje me 4 persona 20 mijë euro 500 euro

Familje me 5 persona 20 mijë euro 600 euro

Familje me më shumë 22 mijë euro 1000 euro
se 5 persona

Familje me persona me 35 mijë euro 1000 euro
aftësi të kufizuara

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›