E Diel, 1 Nëntor 2026

Janari 2009, muaj i vështirë për ekonominë europiane dhe amerikane



Të dhënat e muajit janar për ekonominë botërore tregojnë tkurrje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik të shkaktuar nga përçimi i krizës financiare në ekonominë reale, - bën të ditur raporti mbi "Ekonominë Botërore" i prestigjiozes “Europages”(Agjencia Ekonomike e Euronews), publikuar këto ditë. Sipas raportit, rënia ekonomike është ndikuar ndjeshëm nga kërkesa e ulët në tregjet botërore. Ndërkohë, presionet inflacioniste botërore janë zbutur si pasojë e rënies së çmimeve të mallrave kryesore, por edhe të rënies së kërkesës botërore. Prirja rritëse e papunësisë si edhe rënia e indekseve të besimit kanë shtuar rreziqet e një rënieje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik botëror, sipas raportit. “Ngadalësimi ekonomik në Eurozonë, pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të shqetësimeve financiare dhe pasigurisë në saktësinë e parashikimeve, vijoi edhe gjatë muajit janar 2009. Ekonomia e Eurozonës, ndonëse regjistron një rritje të aktivitetit ekonomik me 0.6 për qind në terma vjetorë, shënon sërish një tkurrje të ekonomisë në këtë periudhë”, - thuhej në raport. Më tej, aty analizohej se rënia e aktivitetit ekonomik erdhi kryesisht si rezultat i rënies së investimeve me 0.6 për qind gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2008 dhe rritjes së importeve me 1.4 për qind gjatë së njëjtës periudhë, ndërsa shpenzimet konsumatore nuk shënojnë ndryshime thelbësore. Norma e inflacionit për muajin dhjetor ‘08 vlerësohet në nivelin 1.6 për qind, duke ndjekur një prirje rënëse që nga muaji korrik ‘08, kur kjo normë shënonte vlerën prej 4.0 për qind. Po sipas këtij raporti, 6-mujori i dytë i vitit 2008 dëshmon për një dobësim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në SHBA. Ndryshe nga 6-mujori i parë i vitit, kur paketa fiskale e miratuar nga qeveria amerikane ndihmoi në ruajtjen e rritjes ekonomike, ekonomia amerikane gjatë 6-mujorit të dytë është përballur me vështirësi si pasojë e përkeqësimit të treguesve financiarë të bilanceve të disa prej kompanive më të mëdha amerikane. Sipas raportit, kjo periudhë është karakterizuar nga një dobësim i kërkesës së brendshme ndikuar kryesisht nga shpenzimet më të ulëta për konsum dhe nga rënia e investimeve agregate, të cilat janë grupet me kontributin më të madh në përllogaritjen e PBB-së. Ndonëse dollari amerikan u mbiçmua gjatë 3-mujorit të tretë të vitit, u regjistrua një përmirësim i deficitit të llogarisë korente, kryesisht si rezultat i rritjes së eksporteve me ritme më të përshpejtuara se importet. Norma mesatare e papunësisë gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2008 shënoi vlera më të larta krahasuar me mesataren e 6-mujorit të parë të vitit, duke kulmuar në muajin dhjetor kur kjo normë shënoi vlerën 7.2 për qind.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›