Kriza në KQZ rikthen Moore në Tiranë
Arvizu: Parlamenti të votojë edhe për kostituimin e KQZ-së
Ambasadori Amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu u ka kërkuar palëve politike që në seancën plenare të së hënës, përveçse miratimit të tre ligjeve të zgjidhin e ngërçin e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Këto deklarata ambasadori amerikan i bëri pas takimit me kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ndërkohë për sa i përket situatës së krijuar në KQZ pritet që javën e ardhshme të vijë në Tiranë Drejtori për Evropën Qendrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.
Apeli
Kemi qenë shumë të qartë për pozicionimin e SHBA, për zgjedhjet dhe KQZ. Kam dëgjuar se do të zhvillohet një sesion në Parlament të hënën. Kështu që është një mundësi e mirë qoftë për tre ligjet dhe konstituimin e KQZ, dhe shpresoj që palët të përfitojnë nga kjo mundësi, tha ambasadori Amerikan, Aleksandër Arvizu. Duke u ndalur tek institucioni i Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Arvizu shprehu vlerësimin e tij për këtë institucion ndërsa shprehu mbështetjen e SHBA-ve për këtë institucion. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për rolin që ai luan dhe bën për drejtësinë në vend gjithashtu kam shprehur mbështetjen e fortë që SHBA bën këtu. Dhe besoj se në fakt forca e çdo demokracie mbështetet në efektivitetin e ndarjes së çdo pushteti, u shpreh ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.
Konsensusi
Vetëm dy ditë më parë kryeministri Berisha deklaroi miratimin e tre ligjeve sipas formulës së propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Nga ana tjetër edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një intervistë të para dy ditëve deklaroi publikisht se PS është e gatshme të votojë ligjet sipas formulës së LSI-së. Ditën e hënë pritet të mblidhet parlamenti për të votuar këto tre ligje ndërsa ato do të hyjnë në fuqi në muajin shtator me fillimin e parlamentit të ri. Tre ligjet e pa miratuara ishin pjesë e kushteve të përcaktuara nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat. Tre ligjet që pritet të miratohen janë ai për Gjykatën administrative, ligji për nëpunësin civil dhe rregullorja e re e Kuvendit.
Topi: Më e rëndësishme riformatimi
i KQZ-së sesa miratimi i 3 ligjeve
Kryetari i partisë Fryma e Re Demokratike e ka quajtur si absurde mbledhjen e parlamentit vetëm për votimin e tre ligjeve. Sipas Topit më e rëndësishme është zgjidhja e ngërçit të krijuar në KQZ- sesa miratimi i tre ligjeve. Një situatë parazgjedhore që nuk ka një KQZ të formatuar, është prelud fatkeq, sidomos kur KQZ-ja do të mbesë në një ngërç sa i përket akteve normative. Është e pakuptimtë që mes partive diskutohet mbledhja e Kuvendit të hënën për tre ligjet. Ne mbështesim miratimin e tre ligjeve, pasi janë në interesin e vendit. Unë nuk e kuptoj se përse nuk shfrytëzohet kjo ditë për të shtuar në axhendën parlamentare për miratimin e vendeve vakante në KQZ, theksoi Topi. Këto deklarata kreu i FRD-së i bëri pas takimit me përfaqësuesve të misionit të ODHIR në vendin tonë.