Berisha-Ramës: Dibranët do të lënë përjetësisht në autobus
Kryeministri premton se do të ngrejë universitetin e Dibrës
Partia Demokratike ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale në qarkun e Dibrës. I pranishëm gjatë prezantimit të kandidatëve të PD-së në këtë qark, kryeministri Sali Berisha premtoi të tjera investime në këtë zonë gjatë mandatit të ardhshëm, ndërsa shtoi se ndërtimi i rrugës së Arbrit nuk u bë i mundur për shkak të një problemi gjeologjik.
Deklarata
Rruga e Arbrit do kishte përfunduar nëse nuk do na dilte një problem serioz gjeologjik me tunelin e Murrizit. Kjo e bënte të pamundur ndërtimin e tunelit, u detyruam të projektojmë në një kuotë 120 metra larg kuotës ekzistuese. Vepra më e parë e dy viteve të para të mandatit të ri do jetë tuneli i Murrizit, rruga e Arbrit e boshti i Jugut, tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë, premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm do të ndërtohet Universiteti në Peshkopi. Jam këtu për tu dhënë fjalën se shumë shpejt do të ngremë universitetin e Dibrës. Universitetin më të madh të standardeve më të mira, premtoi kryeministri Berisha.
Akuza
Në vijim kryeministri Berisha lëshoi edhe një mesazh drejtuar kreut të PS-së, Edi Rama. Më lejoni ti çoj një mesazh shokut Rama, që erdhi në Peshkopi si përçarës sepse platforma e tij është vetëm përçarja. Ju tha se Berisha ju ka injoruar, shkon në Berat ju thotë që unë investoj vetëm në veri. Për këto do ia jepni përgjigjen ju vetë. Erdhi këtu dhe ju thotë socialistëve të Dibrës, ju demokratët ju japin raki me sheqer dhe ju votoni të dehur. Zoti Rama dije se dibranët demokratë dhe socialistë kanë dy tipare të spikatura, të mençur dhe punëtorë, tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë tha se në 23 qershor, dibranët me votë do ta lenë Ramën përjetësisht në autobus. Nuk mund të pranojmë aktet e tua dibranët dhe dibranët nuk mund të pranojnë asnjë mashtrim tuajin, janë të vendosur që më 23 qershor ti japin Shqipërisë mandatin e pestë. Do të japin ty leksionin, do të të lënë përjetësisht në autobus, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Lista e kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Dibrës
1. SHEREFEDIN SHEHU
2. ROLAND KETA
3. EKREM SPAHIA
4. BEDRI HOXHA