E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango shpall nisjen e Festivalit në Gjirokastër më 24 shtator



Petrika GROSI
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka deklaruar ditën e djeshme për mediat datën zyrtare të nisjes së Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër që do të jetë 24 shtatori. Festivali do të zgjasë deri më 29 shtator. Kjo datë, sipas ministrit Pango, është zgjedhur edhe për faktin se 29 shtatori është shpallur si Dita Kombëtare e Trashëgimisë.
Pra, më në fund, është shmangur rreziku i një zhvendosjeje të festivalit nga Gjirokastra, siç jemi mësuar të shohim eksperimentime të ndryshme këto vite (kemi parasysh këtu Festivalin e Vlorës që u zhvendos në Berat apo edhe lëvizjet e vetë FFK-së nga Gjirokastra).
Mes të tjerash, Pango shprehet: “Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve etj, të krijuara prej shekujsh nga populli.
Ky Festival do të synojë gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit muze të Gjirokastrës dhe zonave rreth saj në veçanti, duke përcjellë te spektatorët dhe vizitorët vendas e të huaj kulturën popullore që ruhet dhe zhvillohet në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare”. Tashmë ka filluar puna për fazën e parë të përgatitjes së këtij festivali që konsiston në ngritjen e grupit qendror të punës në rang qarku, në ngritjen e grupit të punës me specialistë të trashëgimisë kulturore shpirtërore pranë çdo bashkie, në kontaktet me grupet popullore, bartësit dhe interpretuesit e trashëgimisë kulturore shpirtërore që përfaqësojnë Qendrën Kulturore, me grupet folklorike të shoqatave dhe NGO-ve të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe me individët e interesuar për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Ndryshimet që do të ketë festivali këtë vit janë rritja e pjesëmarrësve të grupeve dhe minutazhit në dispozicion të interpretuesve. Në lidhje me këtë, ministri Pango shprehet: “Në zbatim të punës dhe të masave organizative për mirorganizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, Komiteti Organizativ në mbledhjen e tij të radhës ka vendosur që puna organizative dhe programi i masave, që do të ndërmerren për këtë veprimtari të rëndësishme kombëtare, të jetë prioritet i çdo qarku, bashkie e Qendre Kulturore, për një prezantim dinjitoz të të gjitha grupeve pjesëmarrëse në Festival. Që çdo grup të përfaqësojë me nivel vlerat që përmban folklori i zonës së qarkut, MTKRS vendosi që në këtë Festival grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, nga 50 që ka qenë në festivalet e tjera, ndërsa koha e konkurrimit do të jetë 30 minuta nga 20 që ka qenë më parë”. Përgjegjësia për ndjekjen e organizimit të këtij aktiviteti me përmasa të mëdha i takon Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, e cila, në bashkëpunim edhe me specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, do të ndjekë nga afër të gjitha përgatitjet që do të bëhen për Festivalin Folklorik Kombëtar.

Reagon kryebashkiaku Flamur Bime: “Mungojnë investimet në infrastrukturë”

Ndërsa ministri Pango thotë se propagandimi dhe popullarizimi i këtij Festivali (FFK-së) do të nxisë edhe më tepër turizmin kulturor dhe shtimin e vizitorëve vendas dhe të huaj në monumentet e trashëgimisë sonë kulturore dhe në veprimtaritë e trashëgimisë shpirtërore, vjen reagimi i kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime, i cili thotë për gazetën “Albania”: “Mesa di unë, është kopjuar i njëjti statut për festivalin dhe nuk është mbështetur ky festival me fonde apo ndërtim infrastrukture. Megjithatë, deri në shtator, ndoshta nuk do të jetë Pangoja që ta bëjë këtë festival, por dikush tjetër”.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›