E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Leskaj, 200 libra për gjimnazin e Vlorës



Ish-ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, dhuroi këto ditë 200 libra për bibliotekën e shkollës së mesme të përgjithshme “Halim Xhelo”, në qytetin e Vlorës. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë nxënës, mësues dhe intelektualë të ndryshëm të qytetit bregdetar. Ndër librat që Leskaj dhuroi mund të veçojmë tituj si “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005”, “Lahuta e Malësisë”, “Mrizi i zanave”, “Flamuri dhe I.Qemali”, i Bardhosh Gaçes, vepra të Ismail Kadaresë, veprën e plotë të Ibrahim Rugovës, bibliografinë e Petro Markos, si dhe botime të tjera të autorëve vendas e të huaj. Deputeti i Vlorës është ndër shembujt më të mirë të përfaqësuesve të votuesit shqiptar në legjislativ dhe këtë e ka demonstruar herë pas here me angazhimet e veta për bamirësi apo në ndihmë të kulturës dhe problemeve sociale. Kujtojmë këtu se vetëm para pak kohësh, deputeti i Vlorës i dhuroi bibliotekës publike “Shefqet Musaraj” të qytetit të tij një numër të konsiderueshëm librash, si dhe shumën prej 500 mijë lekësh.

BOTIMI ARKEOLOGJIK
Drejt përfundimit të librit shkencor “Dyrrachium II”

Një grup studiuesish dhe arkeologësh shqiptarë e italianë, që drejtohen nga prof. Afrim Hoti, kanë përgatitur vëllimin “Dyrrachium II”, pjesa e dytë e botimit shkencor me të njëjtin emër. Në këtë vëllim janë përfshirë përfundimet e gërmimeve “të emergjencës” të periudhës 2001-2007 në qytetin antik të Durrësit. Siç bën të ditur vetë prof. Hoti për median, vëllimi në fjalë përmbledh artikuj shkencorë mbi stratigrafinë e farit të zbuluar tre vjet më parë në qendër të qytetit; statujën e Tellusit (Gea) e zbuluar gjatë hapjes së themeleve të një pallati, mbi gjendjen e sotme të fortifikimeve të Durrësit dhe mermeret e muzeut arkeologjik të qytetit. Ky vëllim botohet nga Shkolla Arkeologjike Italiane e Athinës, e cila vitin e shkuar mundësoi botimin e veprës së parë që i kushtohej Amfiteatrit të Durrësit. Arkeologë dhe profesorë të fushës, shqiptarë e të huaj, janë autorët e shkrimeve të “Dyrrachium II”, vëllim që do të pasohet në të ardhmen edhe nga dy botime të tjera.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›