Sueiz pranë fundit, ndërpret mjekimet
Patrik Sueiz mund të ketë edhe pak javë jetë. Sipas tabloidit amerikan “National Enquirer”, aktori i “Dirty Dancing”, i cili vuan nga sëmundja e kancerit prej një viti, është kthyer në shtëpinë e tij në Los Anxhelos për të kaluar ditët e fundit që i kanë mbetur. Një burim i afërt me familjen e aktorit pohoi se ai ka vendosur të ndërpresë çdo kurë, pasi tashmë çdo gjë duket e kotë. Aktori u shtrua në spital disa javë më parë dhe mjekët e “Stanford Cancer Center” vendosën që ai të mos i nënshtrohet asnjë operacioni, pasi mund të ishte shumë i rrezikshëm. Tumori në pankreas duket se ka prekur edhe mushkërinë. Sueiz mësohet të ketë thënë se preferon të vdesë si “burrë i vërtetë”, sesa të dergjet në një shtrat spitali. Lajmi vjen vetëm disa javë pas intervistës në të cilën Sueiz pohoi se kishte maksimumi edhe dy vjet jetë. Vetëm pas dy ditësh Sueiz u sëmur sërish, duke u detyruar të ndërpriste edhe turneun promocional për serinë e re televizive “A&E”. Sapo doli nga spitali, Sueiz u shfaq çuditërisht më i dobët dhe i brishtë. “Kam pasur një jetë të mrekullueshme”, - ka pohuar ylli i filmit “Ghost” disa ditë më parë. Pavarësisht sëmundjes torturuese ai mundi të përfundonte xhirimet për filmin e fundit, mbase i fundit i jetës së tij ”The Beast”, i cili u shfaq këto ditë në kinematë amerikane.
30 Janar 2009