E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ne eurozone diskutime mes Sarkozi dhe Merkel

Boshti frankogjerman diskuton mbi përballjen me krizën e eurozonës dhe premton zgjidhje në krye të dy javëve. Paraprakisht Franca e Gjermania kanë rënë dakord mbi të gjitha çështjet e diskutuara, përfshi këtu dhe rikapitalizmin e bankave evropiane për të bllokuar krizën. Lajmi është bërë i ditur përmes zëdhënësve zyrtarë pas përfundimit të  takimit ndërmjet Nicolas Sarkozy e Angela Merkel. Liderët e dy ekonomive kryesore të Eurozonës u takuan në Berlin për të vendosur mbi hapat për zgjidhjen e krizës. 

“Kundër kësaj krize që është financiare dhe që ka krijuar një varg mundimesh në vendet tona e në mbarë botën duhet të japim një përgjigje  të qëndrueshme e globale. Jemi të vendosur për të gjetur një zgjidhje para fundit të muajit, pas Evropa duhet t’i ketë zgjidhur këto çështje para takimit të G20 në Kanës”, deklaroi Sarkozy ndërsa bëri të ditur se është arritur dhe një marrëveshje në parim.

Detajet e planit do të vendosen përmes një serie takimesh por paraprakisht bëhet e ditur se deri më 31 tetor Gjermania dhe Franca do të paraqesin një paketë të përgjithshme për zgjidhjen e krizës së borxheve në Eurozonë, ku bëjnë pjesë edhe rekomandime për mbështetjen e bankave. Paketa e masave do të prezantohet në Samitin e G20-ës në Kanë të Francës në fillim të nëntorit.

Sarkozy theksoi se nuk ka asnjë diferencë me kancelaren gjermane sa u takon ndihmave të planifikuara financiare për institutet e kredisë dhe për ombrellën e zgjeruar të shpëtimit për Euron EFSF. Me qëndrimet e tij, ai kundërshtoi edhe spekulimet rreth diferencave në pozicione mes dy qeverive. Pjesë e pozicionit të përbashkët është edhe që Greqia të mbetet edhe më tej anëtare e Eurozonës.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›