E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron takohet te shtunen me Hollande

Kryeministri britanik, David Cameron dhe Presidenti francez, Francois Hollande, do të takohen ditën e shtunë gjatë takimit të G8-s, që është duke u zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hollande, i cili nisi detyrën e tij me një vizitë në Berlin me Kancelaren gjermane Angela Merkel, do të takohet më parë edhe me Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama. Takimi midis liderit francez dhe atij britanik pritet që të fokusohet në krizën e Eurozonës dhe masat që po merren për tejkalimin e saj.

Në një deklaratë të Londrës zyrtare, shkruhej se “pritet që të realizohet një shkëmbim i drejtëpërdrejtë opinionesh në lidhje me sigurinë dhe të ardhmen ekonomike të të dy vendeve”.Një tjetër çështje e rëndësishme në bisedime pritet të jetë edhe ajo e Afganistanit. Pritet që Cameron të ushtrojë presion ndaj Hollande për të kthyer vendimin e largimit të 3 400 trupave franceze nga vendi dy vjet përpara përfundimit të afatit. Në periudhën e presidentit Sarkozy, Franca dhe Britania shënuan një ngrohtje reciproke të marrëdhënieve, ndonëse vendimi i Londrës për të qëndruar jashtë paktit për Europën të udhëhequr nga Parisi dhe Berlini bëri që të formohej një lloj distance në raporte.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›